Rozana Radi: Unë, Mirandolina që i vë burrat përpara

Jun 12, 2013 | 14:11
SHPËRNDAJE

Rozana Radi
Vepra e Goldonit, premierë në Teatrin e Komedisë.

Komedia e 1753-shit ka kthyer në skenë edhe regjisorët Mehmet Xhelili e Alfred Trebicka.

Ka braktisur koncertet e fushatës, edhe pse do t’ia ngrohnin mirë xhepin, por para teatrit, ajo thotë se nuk vë asgjë.  Rozana Radi, të cilën e njohim më shumë si këngëtare, ka vendosur t’i largohet zhurmës parazgjedhore për të luajtur Mirandolinën. Ajo do të jetë e zonja e bujtinës, që i sjell të gjithë meshkujt vërdallë e në fund merr atë që i do zemra. Duke filluar që nesër, në skenën e Teatrit Kombëtar të Komedisë do të ngjitet komedia “Mirandolina” e Carlo Goldonit, me regji të Donard Hasanit (as.regjisor Qëndrim Rijani), skenografi e kostume të Erald Bakallit. Veç Rozana Radit në rolin e Mirandolinës, interpretojnë edhe Mehmet Xhelili e Alfred Trebicka, të cilët i kemi parë më shumë në rolin e regjisorit. U bashkohet në skenë edhe aktori Kastriot Ramollari dhe të rinjtë Laura Nezha, Delinda Zhupa e Marsel Greva. Pak para premierës, Rozana Radi na tregon për Mirandolinën, ku ngjason ajo me të dhe dashurinë për teatrin, ku ajo sheh edhe të ardhmen.
Ktheheni pas një mungese të gjatë në teatër, pse kjo kthesë nga skena e këngës tek ajo e teatrit?
Ndërsa po përpiqesha të shkëputesha nga koncertet, nga zhurma e diskotekave, nga kjo “estrada” e Shqipërisë, më erdhi propozimi për një pjesë teatri. Donardi më propozoi rolin e Mirandolinës. Unë e njihja këtë vepër, por për fat të keq dhe të mirë njëkohësisht, nuk e kisha parë asnjëherë në Tiranë. Hyra në Youtube dhe fillova të kërkoja të gjitha Mirandolinat e vëna nëpër botë dhe pashë që kishte larmi të jashtëzakonshme të mënyrave se si është vënë në skenë “Mirandolina”. Një nga më të fundit ishte vënë në Itali dhe në rolin e Mirandolinës e luante Nensi Brilli. Ishte një koncept tërësisht modern, i sjellë në kohë, ndërsa Nardi e sjell atë në variantin klasik, ashtu si edhe ka sjellë Goldoni.

Posteri i shfaqjes “Mirandolina” në Teatrin e Komedisë
Si është Mirandolina juaj?
Në dukje është një rol i thjeshtë, por kur fillon dhe t’i hysh thellë analizës së personazhit, kupton se në atë pjesë ti duhet të jesh tetë karaktere. Duhet të jesh një njeri tërësisht tjetër përpara kalorësit, përpara kontit, markezit, damave, Fabricios… dhe ishte tepër e vështirë.
Ku ngjasoni?
Ajo është një vajzë që i ka vdekur i ati dhe mbante bujtinën, duke nxjerrë bukën e gojës me punë, pra del në pah forca e femrës që ia del gjithmonë vetë. Dhe në këtë pikë ne ngjajmë, sepse unë gjithnjë ia kam dalë vetë, nuk kam pasur nevojën e një mashkulli që të më mbajë me lekë, apo të punoj për të. Pastaj në gjërat e tjera jam munduar ta çoj Mirandolinën te Rozana dhe të gjej karakteristika të saj te vetja ime dhe ta pasuroj. Është një punë shumë e vështirë. Shumë pak kohë ka mbetur para premierës dhe mendoj se kam ende shumë për të nxjerrë nga vetja për të plotësuar rolin e Mirandolinës.
Shumë interesant kasti i aktorëve, si është të jesh në të njëjtën skenë me pedagogët tuaj?
Është një fat shumë i madh të punoj me ta. Gjysma janë regjisorë, profesorët Met Xhelili, Alfred Trebicka, Kastriot Ramollari, por edhe një kast aktorësh të rinj, që janë njëkohësisht edhe regjisorë (regjisori mund ta bëjë aktorin, ndërsa aktori nuk mund ta bëjë regjisorin). Duke qenë një kast i tillë, mendoj se do vijë një version shumë i mirë i Mirandolinës.
Në njëfarë mënyre ju keni qenë dikur një Mirandolinë, në klipin e këngës “Rrotullo me gisht”, apo jo?
Kur ma ka propozuar Nardi këtë rol, i kam thënë se unë e kam inskenuar rolin e Mirandolinës te kënga “Rrotullo me gisht”. Jeta është shumë e çuditshme! E kam dashur aq shumë atë personazh, saqë e kam bërë edhe videoklip. Shpresoj që ky të jetë roli im më i arritur, sepse është një rol që vjen vetëm një herë në jetë.
Ku e sheh të ardhmen?
Pa dyshim te teatri. Këngës i kam hyrë fare rastësisht. Ka qenë viti 1997. Në ato vite kam nxjerrë një album, pasi ishte një mjet i mirë fitimi. Ishte koha e turbofolkut. Dhe unë isha një nga ato që u ekzaminova me këtë “sëmundje”. Nuk jam bërë pishman, sepse përveç komercit, kam bërë edhe këngë shumë të mira, falë Adrian Hilës dhe besimit që ai ka pasur tek unë. Por, teatri është dashuria ime e madhe. Unë jam rritur në një familje që është marrë me teatër, me regji, aktrim dhe as këngën dhe as paratë nuk i vë mbi aktrimin. Imagjinoni, unë nuk jam përfshirë fare në fushatë (veç një koncerti në Durrës, ku kisha dhënë fjalën), duke lënë shumë para, për t’u marrë me teatrin, pagesat e të cilit ju i dini shumë mirë. Megjithatë, kjo më jep kënaqësi..
Një kënaqësi që arrihet me shumë vështirësi…
Është kaq e vështirë të fillosh punë në teatër! Unë kam 8 vjet që kam mbaruar shkollën dhe normalisht dëshira ime është të filloj punë në teatër. Jo sepse unë dua të filloj punë në teatër, por sepse e meritoj, por po presim… kur t’i mbushet mendja liderëve të na marrin. Unë këtu jam…
Keni marrë pjesë në audicione për projekte të tjera teatrore?
Nuk marr më pjesë nëpër audicione. Janë shumë të rrallë ata regjisorë që bëjnë audicione të mirëfillta. Në shumicën e herëve bëhen sa për sy e faqe, ndërkohë aktorët janë zgjedhur.
Nuk do kishte qenë mirë që kjo shfaqje të jepej në një kohë tjetër, kur vëmendja të ishte larguar paksa nga politika?
E mira e kësaj shfaqjeje është që jepet tani. Njerëzit janë shumë të lodhur nga politika, kaosi i madh, fushata, ekranet që buçasin nga lajmet.. ndërkohë që në dy orë ata mund të vinë të shohin në teatër një Mirandolinë që vë përpara gjithë këta burra, forcën e kësaj femre. Ka një frazë në fund Goldoni: Këta burra duan të na bëjnë keq, kujt ne, që jemi gjëja më e bukur që ka krijuar nëna natyrë!

Regjisori Donard Hasani: “Pse e vura ‘Mirandolinën’ në kohë zgjedhjesh”
Që me kastin e aktorëve, regjisori Donard Hasani ka arritur të nxisë kuriozitetin e publikut. Duke i qëndruar besnik kohës kur Goldoni e shkroi veprën, ai shpreson të sjellë një vepër të mirë, që do t’i largojë paksa njerëzit nga tollovia parazgjedhore.
Publiku e ka ende të freskët Mirandolinën e vënë në skenë 3 vjet më parë, si vjen shfaqja juaj?
Çdo vënie ka specifikat e veta. Nuk ndodh kurrë që dy vënie të jenë njëlloj, madje as dy shfaqje të të njëjtit produksion nuk mund të jenë njëlloj. Mënyra se si ne e kemi parë veprën është ndryshe. Nuk është respektuar 100% commedia dell’arte, por kemi sjellë diçka më natyraliste. Jemi thelluar më shumë në karakteret e personazheve, kemi shmangur improvizimin dhe kemi minimizuar hiperbolën.
Pse ky kast aktorësh, nuk u ndryheshit kolegëve regjisorë?
Ata janë kolegët e mi prej 15 vitesh. Janë pedagogë-regjisorë, por edhe pedagogë-aktorë me një eksperiencë të lakmueshme në skenë, që çdo regjisor do të punonte me shumë komoditet me ta, çka reflektohet në këtë vepër.
Keni zgjedhur Rozana Radin në rolin e Mirandolinës, pse ju shkoi mendja tek ajo?
Rozi ka disa cilësi personale që i shkojnë për shtat rolit. Unë e njoh që fëmijë, ajo është rritur në Akademinë e Arteve dhe shkathtësia e saj i afrohet shumë natyrës së Mirandolinës. Është një vajzë e zgjuar, një cilësi tepër e rëndësishme për personazhin e Mirandolinës dhe them që ka krijuar një figurë artistike shumë të spikatur.
Do të ketë paruke, fustane me zhyponë?
Kemi vendosur që realiteti artistik që ne krijojmë të ketë një shmangie të theksuar nga realiteti jetësor, pra publiku kur të hyjë në sallë, të ndihet në një tjetër atmosferë, në një realitet teatror dhe për 1 orë e 50 minuta që do të jetë shfaqja, të shkëputen nga përditshmëria dhe të hyjnë në një botë tjetër. Sigurisht, në gjithë këtë zhurmë politike, publiku mund të vijë dhe provojë një kënaqësi estetike dhe të shijojë një shfaqje të kësaj natyre.

Ramollari, bashkim me shokët e shkollës
Në bujtinën e Mirandolinës, kalorësit dhe markezit i shtohet edhe një kont, i vetëkënaqur, brutal e qesharak njëkohësisht, që me qesen e parave përpiqet të “blejë” fisnikërinë që nuk e ka të lindur. Roli i kontit interpretohet nga aktori Kastriot Ramollari. “Me Fredin dhe Metin njihem prej kohësh, pasi kur kemi qenë studentë, kemi luajtur bashkë në skenë. Jemi një brez. Ndërsa Rozana ka krijuar profilin e një Mirandoline interesante. Është krijuar një atmosferë e mirë. Duhet falënderuar regjisori, që me durimin e tij e ka relaksuar situatën”, thotë Ramollari, ndërsa aty për aty krijon situata humori me kalorësin e markezin, rivalët e tyre përballë Mirandolinës.

ALMA MILE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura