Lamtumirë Gjergj Xhuvani! Kineasti që sfidoi fatkeqësitë me krijimtari fisnike. Si e kujtojnë miqtë: Deri në momentin e fundit…

Aug 15, 2019 | 11:41
SHPËRNDAJE

ANILA DEDAJ/ Kinemaja shqiptare humbi një nga bijtë e saj më të talentuar.

Gjergj-Xhuvani-780x439

Gjergj Xhuvani u nda dje nga jeta në moshën 56-vjeçare, për shkak të një ataku kardiak në Romë ku kishte shkuar për të montuar filmin e tij të fundit.

Jeta së fundmi e kishte përplasur me beteja të mëdha, por siç miqtë tregojnë, ai i sfidonte fatkeqësitë me humanizmin, humorin e mbi të gjitha me krijimtarinë e tij.

Regjisori i dhuroi publikut shqiptar momente të paharrueshme kinematografike në të dyja epokat, edhe pse siç kolegët rrëfejnë, kulmin e arriti pas viteve ’90. Qe i parë që me “Parullat” e Ylljet Aliçkës bëri të mundur që filmi shqiptarë të prekte një skenë të madhe ndërkombëtare, si ajo e Festivalit të Kanës.

Kolegë e miq, të tronditur nga ndarja e parakohshme nga jeta e njeriut dhe kineastit të madh, e kujtojnë Gjergjin përmes veprave të tij dhe fragmenteve jetësore.

SAIMIR KUMBARO: HUMBJE E MADHE PËR KOMUNITETIN E KINASTËVE!

xhuv

“Iku një baba, një bashkëshort një krijues, një kineast. Ndarja nga jeta e Gjergjit na ka tronditur të gjithëve, është një humbje e madhe për të gjithë komunitetin e kineastëve”. Regjisori Saimir Kumbaro, i prekur nga humbja e kolegut-mik, shpreh vlerësimin e tij për kontributin që Xhuvani dha për filmin shqiptar, por edhe për Gjergjin si njeri human e me zemër të madhe. Njohja e tij me Xhuvanët, nis me të atin, Dhimitrin. Shkrimtari do t’i besonte Kumbaros e Rikard Llarjas skenarin e “Rrugica që kërkojnë diell”, kur ai ishte ende në hapat e parë si regjisor. Dellin artistik të të atit Dhimitrit, siç Kumbaro rrëfen, e kishte trashëguar më së miri edhe i biri.

“Veçanërisht prej krijimit të Qendrës, me filmat që ai bëri, justifikoi jo vetëm veten, por edhe kinemanë shqiptare në përgjithësi”, thotë Kumbaro. Takimin e fundit e kujton në studion e producentit Dritan Huqi, me të cilin Gjergji po bashkëpunonte së fundmi.

“Në atë periudhë ishte dobësuar, kuptohet që kanë ndikuar nga pak të gjitha. I ra një fatkeqësi e madhe me atë që ndodhi me Kostandinin! Fati e dënoi shumë rëndë, dhe atë haraç Gjergji nuk duhet ta paguante”, shprehet regjisori. Kulmin në karrierën e tij, sipas Kumbaros, Gjergji e arriti pas viteve ’90. “Veçanërisht pas viteve ’96, me krijimin e Qendrës Kinematografike, krijoi disa filma të mirë si “Parullat”, “I dashur armik”, “Lindje, perëndim, lindje” etj. Gjergji punonte shumë me karakteret dhe për mua karakteret përbejnë vlerat e një kinemaje realiste, siç është kinemaja shqiptare”.

Kolegun e çmon dhe për zërin që i dha filmit shqiptar jashtë vendit. Me “Parullat”, ai çoi për herë të parë filmin shqiptar në Kanë, “Me këtë film shpuri në atë festival, një lloj vështrimi, imazhin dhe konceptin e tij, për sa i përket mënyrës se si duhet trajtuar një film. Nuk ishte film amerikan, as komerical, por me një filozofi shumë realiste dhe përçuese te spektatori. Absurdi i asaj kohe vjen përmes një humori shumë fin, sepse e kishte Gjergji humorin fin dhe diti ta çojë shumë mirë tek artdashësit e kinemasë”, rrëfen Kumbaro.

LULZIM ZEQJA: I DONTE SHUMË AKTORËT, SEPSE DONTE FILMIN

Në “Lindje, perëndim, lindje” ku Gjergj Xhuvani ishte edhe regjisor dhe bashkëskenarist me të atin e Jani Duron, aktori Lulzim Zeqja është një nga 4 çiklistët. E konsideron këtë rol si më të mirin e tij, dhe për interpretimin mundën të rrëmbejnë dhe çmimin e parë në “Tirana International Film Festival”. Bashkëpunimin me Xhuvanin, ai e konsideron si nga më frytdhënësit, edhe pse mjeshtri i kinemasë ishte i pakursyer me “nxënësit” e tij. Ndarja e shpejtë nga jeta, ashtu si edhe artistët e tjerë e ata që ndoqën filmat e tij, e gjen Zeqën të tronditur. “Gjergji mbetet një nga regjisorët më të mirë të filmit shqiptarë. Prej tij mësova shumëçka për kinemanë, pasi unë kam mbaruar shkollën për teatër. Është një njeri që punonte me shumë pasion në kinemanë tonë. I donte shumë aktorët, sepse ai donte filmin. Na afronte, bisedonte me ne, na respektonte gjatë bashkëpunimit, por edhe pas tij. Kinemaja e Gjergj Xhuvanit është një kinema që rrjedh. Një njeri që e kërkonte përrallën nga fillimi deri në fund, pa ndonjë shkëputje. Ka krijuar një kinema të perceptueshme nga të gjithë. Ai ishte realisht i dashuruar pas kinemasë së vërtetë”, thotë aktori.

KASTRIOT CAUSHI: DERI NË MOMENTET E FUNDIT FOLI PËR FILMIN

Biseda e tij e fundit me kolegët ka qenë për filmin. Gjerg Xhuvani, siç rrëfen miku dhe kolegu i tij Kastriot Caushi, e donte fort jetën dhe kishte plane e ëndrra për kinemanë. Ai e ka njohur që në hapat e parë drejt filmit, pasi Gjergji dhe Luiza kanë qenë studentët e tij. Është i tronditur dhe e ka të vështirë të flasë, pasi njihej me të në të gjitha dimensionet, si student, mik e regjisor në një serial e në filmin “Dashuria e fundit”. Kujton se në sheshin e xhirimit ai krijonte një atmosferë të ngrohtë. Madje, edhe në ditë të vështira e fshihte dhimbjen edhe mundohej të tregohej me humor. “Çudia më e madhe është se ka folur mbrëmë pas orës 00:00 dhe kur e kanë pyetur nëse do të jetë në konkursin e javës tjetër, ai është përgjigjur: Ta shohim”, tregon Caushi.

PIRRO MILKANI: HUMBËM NJË KRIJUES TË VËRTETË TË FILMIT

Luizën dhe Gjergin i kujton që në vitet studentore në Akademinë e Arteve, ku ishte pedagog i tyre. Pirro Milkani e veçon çiftin e artistëve për zellin e talentin. “Kanë qenë studentët e mi më të mirë. Edhe më pas morën pjesë në të gjitha shfaqjet që unë organizova. Dhimitri, Gjergji dhe Luiza kanë krijuar vepra të vërteta kinematografike”, thotë regjisori. Tregon se me “Parullat” Gjergji ka mundur ta befasojë dhe është krenar për prezantimin e filmit në Festivalin e Kanës, ku edhe u vlerësua. “Mbas atij filmi Gjergji realizoi edhe të tjerë. Ishte jo vetëm një talent i vërtetë, por edhe njeri shumë i mirë. Jam thellësisht i dëshpëruar që humbëm një krijues të vërtetë të filmit, por që ka lënë një pasuri kombëtare me filmat e tij”, tregon Milkani.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura