Jugosllavët për vdekjen e Mehmet Shehut: Nuk ishte vetëvrasje

Dec 17, 2015 | 11:00
SHPËRNDAJE

Kanë kaluar 34 vjet që atëherë dhe vdekja e Mehmet Shehut vazhdon të mbetet një mister. Asnjë prej eliminimeve të anëtarëve të tjerë të Byrosë Politike, ish-miq të ngushtë të Enver Hoxhës, nuk ka qenë i mbuluar me aq shumë mister. Për gjithkënd do të gjendej një komplot, një puç, një grup armiqësor në ushtri, në ekonomi, në politikën e jashtme dhe ia behte ekzekutimi me jetë.

Ndërsa vdekja e Mehmet Shehut mbetet ende një enigmë. Flitet shumë për çështjen e trashëgimisë së pushtetit, të cilin Enver Hoxha, tashmë i rënduar nga sëmundja, nuk donte t’ia linte dorës së fortë të Shehut, çka edhe mund ta justifikojë të gjithë fushatën e rreme, që nisi me një fejesë e vijoi me kritika e autokritika.

Por ende i pashpjegueshëm, momenti i fundit i tërheqjes së këmbëzës së pistoletës, që i mori jetën njeriut të dytë më të pushtetshëm të regjimit komunist shqiptar. U vra apo u vetëvra? Ngjarja ndodhi në fundvitin 1981. Ngjarja që në Shqipëri u përpoq që të mbulohej sa më shumë, nuk mbeti jashtë vëmendjes, jo vetëm të fqinjëve, por deri në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

enveri-mehmeti

Për të ndërtuar librin e tij “Shqipëria moderne”, gazetari amerikan Fred Abrahams ka shfrytëzuar një dokumentacion të gjerë, një pjesë e të cilave i përkasin Departamentit të Shtetit, Departamentit të Mbrojtjes, të Drejtësisë, të Thesarit dhe CIA-s, por edhe të qeverisë shqiptare, ia dorëzoi pak ditë më parë drejtoreshës së Bibliotekës Kombëtare, Persida Asllani, duke i bërë pjesë të fondit të BK-së.

Dokumenti që po ofrojmë më poshtë është një raport mbi mënyrën se si u komentua (vetëvrasja) e kryeministrit shqiptar në vendin fqinj, Jugosllavi. Materiali është i përgatitur për Departamentin Amerikan të Shtetit. Në këtë raport shihen këndvështrime të zyrtarëve të ndryshëm jugosllavë, shfrytëzoheshin burimet e tyre në Tiranë, apo bisedat e zhvilluara me diplomatë shqiptarë.

Po ashtu, shkurtimisht, si u përcoll kjo ngjarje në mediat jugosllave. Të gjithë ishin në një mendje se vdekja e Mehmet Shehut nuk mund të ishte thjesht një vetëvrasje e ardhur nga një “krizë nervore”, siç u mbulua në Shqipëri, por ka ardhur si rezultat i një përplasjeje të mundshme mes Shehut, i cili konsiderohej si një “kalkulator i ftohtë” dhe më me këmbë në tokë se Enver Hoxha që, siç do të shprehej një nga diplomatët jugosllavë, dukej “sikur vinte nga një planet tjetër”.

Pavarësisht raportimeve të jugosllavëve, pala amerikane i merr ato me rezervë, duke shënuar se për ngjarje ku përfshihen Shqipëria dhe Jugosllavia, kjo e fundit është gjithnjë e gatshme për të dhënë variantin më të errët, megjithatë mes tyre mund të ketë edhe të vërteta.

DOKUMENTI

Departamenti Amerikan i Shtetit

Tema: Disa vëzhgime/hamendësime në Beograd, mbi vdekjen e Shehut

1. Dy zyrtarë të lartë jugosllavë mendojnë se vdekja e Shehut nuk ishte një vetëvrasje e thjeshtë.

2. Hamendësime të zyrtarëve të FSFA: Më 21 dhjetor, ambasadori pyeti asistentsekretarin e FSFA-së për punët e jashtme në Europën Perëndimore dhe Amerikën e Veriut, Milos Melovski (Assistant Federal Secretary for Foreign Affairs), të komentojë në dokumentin e mëposhtëm vetëvrasjen e zyrtarit të dytë më të lartë shqiptar, kryeministrit Mehmet Shehu, Melovski parashtroi duke thënë se Qeveria Jugosllave ende nuk kishte përfunduar analizën, por ai mund të ndante disa vëzhgime “personale”.

3. Melovski kujtoi se ai kishte takuar Shehun dhe Enver Hoxhën 30 vjet më parë. Ai e krahasoi Shehun, një njeri “kalkulator të ftohtë dhe racional”, me Enver Hoxhën një “lider me më shumë temperament”. Në vitet e fundit,- shpjegon Melovski, Shehu ka qenë i ngarkuar me punët e përditshme dhe përballë problemeve praktike, ishte pa dyshim më i aftë të përshtatej me botën e vërtetë, se Hoxha, të cilin Melovski e karakterizon sikur “jetonte në ndonjë planet tjetër”. Kjo mund t’i ketë shtënë ata në konflikt mbi çështje të politikave, hamendëson ai.

Faksimile e raporteve të diplomatëve jugosllavë për vdekjen e Mehmet Shehut
Faksimile e raporteve të diplomatëve jugosllavë për vdekjen e Mehmet Shehut

4. Melovski përfundon se vdekja e Shehut me gjasë ka qenë jo ashtu si është përshkruar: “vetëvrasje që pasoi një periudhë krize nervore”. Ai nënvizoi se (ashtu si edhe ambasadori shqiptar në Beograd kishte raportuar) se në kulturën shqiptare vetëvrasja është një “turp”. Si rrjedhim, edhe sikur Shehu të ketë vrarë veten, edhe sikur të ketë qenë në pozita të mira politike, do të kishte qenë e thjeshtë, dhe sipas parashtrimeve të regjimit në Tiranë, arsyeja që shkaktoi vdekjen lidhet me një sëmundje të panjohur.

5. Gjithsesi, vdekja e Shehut ka kaluar praktikisht, pa një njoftim zyrtar në Tiranë. Radio Televizioni i Tiranës vazhdoi programet normale; nuk u hap asnjë libër ngushëllimesh; nuk u deklarua asnjë ditë zie kombëtare, siç kishte ndodhur jo shumë kohë më parë me rastin e vdekjes së një zyrtari më të ulët në pozicion, Hysni Kapos; asnjë flamur i ulur në gjysmë shtizë etj. Ambasadori shqiptar në Beograd bëri të ditur se nuk priteshin mesazhe ngushëllimi.

6. Melovski shtoi se Ambasada Jugosllave në Tiranë ka raportuar se me sa duket, Shehu ka ndjekur një axhendë pune normale në ditët që paraprinë vdekjen e tij, duke takuar qeveritarë të lartë një ditë përpara ditës kur supozohet që ai ka vrarë veten, si dhe disa zyrtarë të lartë grekë që po zhvillonin një vizitë në Shqipëri, një ditë më parë. (Ai mund të ketë pasur ndërmend rumunë). Melovski gjithashtu nënvizon se ambasada ka vënë re shumë lëvizje në ndërtesën e Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, një natë përpara njoftimit mbi vdekjen e Mehmet Shehut. Ai mendon se me gjasë atje ka shpërthyer një debat mes Shehut dhe Hoxhës.

mehmetshehu103

7. Duke përsëritur se ai vetëm mund të hamendësojë, Melovski thotë se ai personalisht beson se përplasja mund të ketë lindur për shkak të këndvështrimit të Shehut, sipas të cilit Shqipëria nuk mund t’ia lejojë vetes që të këmbëngulë edhe për shumë kohë në izolimin fanatik, por duhet të shohë përpara në një marrëdhënie më normale me pjesën tjetër të botës. Për shembull, Melovski mendon se ndoshta Shehu nuk ka mundur të argumentojë,- dhe ka humbur,- që Shqipëria duhet të heq dorë nga paragjykimi ideologjik përkundër pranimit të kredive të huaja.

8. Vdekja e Shehut, sipas këndvështrimit të Grlickovit, në një bisedë me ambasadorin më 22 dhjetor Aleksander Grlickov, gjithashtu u shpreh se ai nuk e beson se Shehu ka kryer vetëvrasje, madje hamendëson se “Ka pasur një problem të madh në axhendën shqiptare,- nuk e dimë se çfarë,- për të cilën Shehu dhe Hoxha kishin mosmarrëveshje”. Ai gjithashtu mbështeti këndvështrimin e Melovskit, sipas së cilit Shehu ishte një njeri me horizonte më të gjera se Hoxha, i cili kishte për detyrë të përballej me “përgjegjësi reale” si drejtues i qeverisë. Grlickov gjithashtu pohon se shumë ligje të brendshme të rëndësishme i janë parashtruar Parlamentit shqiptar, mbi të cilat ata mund të kishin mosmarrëveshje. Një prej tyre, sipas Grlickov, sido që është dekretuar tashmë, “do t’u marrë edhe delen e fundit fshatarëve”. Një tjetër shtrëngim i ashpër në punët e brendshme të qytetarëve shqiptarë. Masa të tilla drakoniane mund të kenë shkaktuar një konflikt, sipas Grlickov.

9. I pyetur nga ambasadori nëse gjenerata e re në Shqipëri mund të nxjerrë në pah një këndvështrim më racional, Grilckov nuk ishte edhe aq optimist mbi ata që mund të jenë pasardhës të Hoxhës. Për shembull, një vizitor i quajtur Salihu është shqetësues: Grlickov tha se ai ka qenë një student në Leningrad, “dhe ne gjithnjë kemi pasur eksperienca më të këqija me studentët e leningradit se të Moskës”.

10. Gjithsesi, Grlickov pranon se ndryshimet duken të paevitueshme pas largimit të Hoxhës. Edhe pse Hoxha “ka nxjerrë jashtë loje dy projugosllavë dhe nga një prosovietik e prokinez, secili grup ka lënë gjurmë në jetën politike shqiptare. Ndryshime thelbësore priten shumë shpejt largimit të të gjithë udhëheqësve karizmatikë, vë re Grlickov, duke përmendur Mao-n, Stalinin, Frankon dhe Sadamin. Jugosllavia duhet të përgatitet për ndryshime në Shqipëri; Çështja më me rëndësi është, në interesin e kujt do të jetë? Grlickov mendon se Shqipëria proHoxha, me shumë gjasë nuk do të kthehet as nga Lindja dhe as nga Perëndimi, por më shumë është e mundshme që të mbajë një pozicion të paanshëm.

11. Mbulimi mediatik: Media jugosllave, gjithashtu ngre dyshime mbi versionin zyrtar të vdekjes së Shehut. Për shembull, “Politika”, më 22 dhjetor boton një artikull me titull: “Dyshime rreth vetëvrasjes”.

Mehmet Shehu në shtratin e vdekjes
Mehmet Shehu në shtratin e vdekjes

12. Këndvështrimi i një zyrtari shqiptar: Më 21 dhjetor çështja e Tiranës iu parashtrua edhe ambasadorit të ri austriak në Beograd nga ambasadori shqiptar Plaka, i cili i tha atij se Tirana nuk dëshiron asnjë mesazh ngushëllimi nga Kreisky. Plaka u duk “justifikues” në bisedën mbi vetëvrasjen e Shehut, duke shënuar se ishte një “incident i izoluar”, si pasojë e shëndetit të keq të Shehut dhe e gjendjes nervore. Plaka i tha austriakut se Shehu vdiq nga vetë dora e tij, në shtëpinë e tij në mbrëmjen mes 18-19 dhjetorit. Duke u përpjekur të minimizojë rëndësinë e ngjarjes, Plaka kërkoi të sigurojë ambasadorin austriak se “nuk ka elementë prosovjetikë në Tiranë”. Plaka tha se Tirana dëshiron të përmirësojë marrëdhëniet politike me Austrinë dhe do të vazhdojë të zgjerojë marrëdhëniet me të tjera shtete të “përshtatshme” të Europës Perëndimore. Plaka gjithashtu parashikoi se pasardhësi i Shehut, si kryeministër, do të shpallet në shkurt dhe ka për të qenë zv.kryeministri Adil Çarçani. Më në fund, Plaka u shpreh se Hoxha dhe Shehu janë të fundit e “Gardës së vjetër”, një brez i ri po del në krye.

13. Koment. Si zakonisht, në çështje që përfshijnë Jugosllavinë dhe Shqipërinë, në Beograd ekziston gjithnjë një frymë konspirative dhe gatishmëri për të dhënë shpjegimin më të keq dhe të përgjakshëm të mundshëm të ngjarjes. Gjithsesi, vdekjes së Shehut po i jepet një rëndësi e pazakontë nga shqiptarët dhe mundet që të ketë diçka të vërtetë në hamendësimet e Melovskit dhe të Grlickovit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura