“Europa Nostra”: Vetëm qeveritë në Shqipëri dhe Turqi shembën objekte që ne i mbronim. Si Rama vetëm Erdogan…

| 21:45
SHPËRNDAJE
 

ANILA DEDAJ/ Ndonëse Teatri Kombëtar prej marsit të 2020-ës ishte përzgjedhur si një nga “7 objektet më të rrezikuara në Europë” në projektin e “Europa Nostra”-s, kjo nuk e ndali pushtetin qendror dhe atë lokal në Shqipëri, që mëngjesin e 17 majit ta shembnin atë.Shembja e Teatrit-dhuna

Por a ka precedentë një ngjarje e tillë, kur një objekt i mbrojtur nga ky institucion, i cilësuari si më “autoritari i trashëgimisë kulturore në Europë”, të shembet nga qeveria vendëse? Për të mësuar rreth një mundësie të tillë, “Panorama” kontaktoi “Europa Nostra”-n, ku iu përgjigj përgjegjësja e projekteve evropiane, Sara Zanini.

Sipas saj, përgjatë 7 viteve të fundit, jo vetëm në “7 objektet e përzgjedhura”, por as në listën paraprake me 36 monumentet, shembja e objektit nga vetë shteti nuk ka pasur precedent tjetër, përveç rastit të qytetit 12-mijëvjeçar turk, Hasankeyf. Në këtë rast, jo më larg se një vit më parë, me këmbënguljen e qeverisë turke dhe në veçanti të vetë Presidentit Rexhep Taip Erdogan, pranë tij, në qytetin turk Ilisu, u ndërtua një digë që do të sillte përmbytjen pothuajse të të gjithë qytetit mijëravjeçar.

Sikundër edhe rasti i Teatrit Kombëtar, projekti i digës po zvarritej në vite. Edhe Erdogan, njësoj si Kryeministri Rama, injoroi peticionet, protestat, argumentet e historianëve, arkeologëve dhe vetë banorëve që dolën kundër ndërtimit. E megjithatë, Erdogan bëri të mundur që së paku disa nga monumentet më të çmuara t’i zhvendoste për të shmangur përmbytjen e tyre.

DEKLARATA E PLOTË E “EUROPA NOSTRA”

“Deri më sot dhe përpara shkatërrimit të dhunshëm dhe brutal të Teatrit Kombëtar të Shqipërisë në Tiranë, asnjë nga 36 objektet e trashëgimisë të përzgjedhura për ‘7 vendndodhjet më të rrezikuara’, që prej 2013-ës nuk është shkatërruar. Hasankeyf mund të krahasohet me rastin e Teatrit Kombëtar, sepse qyteti u zhyt nën ujë për shkak të ndërtimit të një dige në lumin Tigër.

Një pjesë e qytetit historik tashmë është i përmbytur, me përjashtim të shumë pak monumenteve që u zhvendosën. Shkatërrimi i Teatrit na kapi të gjithëve në befasi. ‘Europa Nostra’ e ka mbështetur këtë kauzë që prej 2018- ës dhe ka përcjellë shqetësimet për prishjen e planifikuar të këtij Teatri tek autoritetet më të larta të Shqipërisë. Ne po ashtu kemi mbështetur aktivitetet e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, një shembull i manifestimit të shoqërisë civile dhe rezistencës për të mbrojtur trashëgiminë tonë të përbashkët kulturore”.

“XHEVAHIRI I NJERËZIMIT” NËN UJË, 80 MIJË BANORË TË ZHVENDOSUR

Ishte konsideruar si “xhevahiri i njerëzimit” dhe vetë shteti turk, në vitin 1981 e pat shpallur si zonë të mbrojtur natyrore. Mirëpo, sot Hasankeyf, qyteti antik i gjendur në provincën Batman, në juglindje të vendit, nuk ekziston më. UNESCO do ta kishte përfshirë në listën e vendeve të mbrojtura, por kërkesa duhet të vinte nga Ministria turke e Kulturës dhe Presidenti Erdogan as që bëhej fjalë ta lejonte një hap të tillë, pasi kishte synime të tjera.

Qyteti tanimë është përmbytur pothuajse plotësisht (kanë shpëtuar vetëm disa monumente që janë zhvendosur dhe ato banesa që gjendeshin në lartësi të mëdha) dhe shkak është bërë ndërtimi i digës në qytetin Ilisu përgjatë lumit Tigër, afro 40 km larg nga Hasankeyf. Zanafilla e këtij projekti daton që në vitet 1950, por ndërtimi nisi në 2006. Diga sot ushqen një hidrocentral elektrik, në gjendje për të furnizuar deri në 1200 megawat fuqi elektrike, por si pasojë e ndërtimit të saj u zhduk jo vetëm Hasankeyf, por edhe shumë zona përreth.

Ujërat përfshinë gjithashtu rreth 200 fshatra kurde dhe 80 mijë banorëve u është dashur të zhvendosen nga toka ku ata jetuan për mijëra vjet me radhë. Ndërkohë që qeveria turke ndërtoi një “Hasankeyf të ri” për 700 mijë familje, rreth 3 km larg nga qyteti i vjetër.

Siç shkruajnë mediat e huaja, efektet anësore të ndërtimit të digës përfshinë edhe tharjen e kënetave në Irakun Jugor. Një nismë e tillë në këtë zonë, që edhe më herët ishte prekur rëndë nga ndryshimet klimatike dhe thatësira, konsiderohet nga ekspertët si katastrofë mjedisore.

Te lidhura



Subscribe

      
             

Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA ONLINE: https://facebook.com/groups/panoramaonline/

 

S'KA KOMENTE

Comments are closed.