LIVE- Bulevardi i mbushur plot, mijëra qytetarë marshojnë në rrugët e Tiranës: Rama jepe dorëheqjen, ju erdhi fundi

Jun 27, 2026 | 22:15

Pas më shumë se dy orë e gjysmë në shesh dhe bulevardin Dëshmorët e Kombit duke mbajtur fjalime dhe duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama mijëra qytetarë kanë marshuar  në rrugët e Tiranës.


Gjatë marshimit janë dëgjuar thirrje si: “Edi Rama, o tradhtar, me Shqipërinë mos bëj Pazar”, “Rama, jep dorëheqjen” dhe “Pa rini nuk ka Shqipëri”.

Një tjetër thirrje në kor ishte “Poshtë patronazhistët”.

“Shqipëria e shqiptarëve, vdekje tradhtarëve” ishte një tjetër thirrje. Nuk kanë munguar as thirrjet e përnatshme “Rama n’burg, Berisha n’burg”.

“Në shumë shtete tradhtia ndaj atdheut dënohet me dënim kapital. Edhe në Shqipëri shpresojmë që në të ardhme të dënohet me burg përjet”, tha Arben Kola, një nga organizatorët e protestës.

KËRKESAT E PROTESTUESVE:

Kjo protestë mbarëpopullore dhe paqësore kërkon sa më poshtë:

1. Dorëheqjen e panegociueshme të kryeministrit dhe të qeverisë.

2. Krijimin e një qeverie teknike tranzitore, jopartiake dhe me mandat 12-mujor.

3. Ndryshime kushtetuese, ku të gjithë shtetasit shqiptarë të jenë të barabartë para ligjit, si dhe miratimin e tyre me referendum popullor, duke përfshirë ndër të tjera: ndryshimin e Kodit Zgjedhor, ndryshimin e ligjit për financimin e partive politike dhe organizatave të ndryshme, kufizimin e ushtrimit të detyrës së kryeministrit në jo më shumë se dy mandate, të plota ose të pjesshme, gjatë gjithë jetës politike të një individi.

4. Paralelisht kërkohet anulimi i ndryshimeve të bëra në ligjin për zonat e mbrojtura, anulimin e ndryshimeve të bëra në ligjin për trashëgiminë kulturore, shfuqizimin e Paketës së Maleve, si dhe shfuqizimin e statusit dhe të kuadrit ligjor për investimet strategjike.

5. Kërkohet një kontratë të re sociale mes qytetarëve dhe shtetit, e cila do të përpilohet pas konsultimit me intelektualë, ekspertë teknikë dhe qytetarë apartiakë, të propozuar nga sheshi i protestës.

© Panorama.al

Te lidhura