Ekzekutimi i Tonin Gjinit në sy të fëmijëve, ku po heton policia: Vrasja stil mafioz, autorët…

Aug 14, 2019 | 10:45
SHPËRNDAJE

ELVIS HILA/ U ekzekutua në qendër të qytetit të Rrëshenit, në sy të dy fëmijëve, shkak dyshohet e kaluara në Belgjikë.

armando-gjini

Armando Gjini u qëllua disa herë me pistoletë, ndërsa ndodhej brenda automjetit të tij përballë katedrales. 48-vjeçari dyshohet që të jetë vrarë për shkak të prishjes së pazareve të drogës.

Hetuesit nga ana tjetër, nuk përjashtojnë pistën e gjakmarrjes, pasi familja e tij është përfshirë në një konflikt të përgjakshëm shumë vite më parë. Por, nisur nga mënyra e ekzekutimit, e cila i ngjan stilit mafioz, hetuesit thonë se ka pak gjasa që të bëhet fjalë për hakmarrje.

Në konsideratë është marrë dhe një pistë e tretë, që ka të bëjë me dyshimet e vrasjes për shkak të borxheve. Hetuesit pritet që në ditët e ardhshme të marrin në pyetje familjarë të viktimës, për të mësuar më shumë mbi shkaqet që çuan në vrasjen e Armando Gjinit. 48-vjeçari njihej si pjesë e grupit të Met Kananit.

Vrasja e tij dyshohet se është bërë nga njerëz me pagesë, profesionistë në këtë fushë, ndërsa për vrasjen janë shoqëruar në Komisariat mbi 10 persona, të cilët janë marrë në pyetje, por që janë lënë sërish të lirë. I njohur ndryshe si Tonin Gjini, ishte person i njohur në qytetin e Rrëshenit, kjo edhe për shkak të arrestimit të tij një vit më parë dhe vendosjes së eksplozivit në makinë pak kohë para vrasjes.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, si dhe specialistë të hetimit nga Drejtoria e Përgjithshme, shkuan në Rrëshen në mbështetje të kolegëve të tyre, që po punojnë për zbardhjen e ngjarjes së rëndë.

Nga mënyra se si kanë vepruar autorët e krimit, Policia dhe Prokuroria kanë ngritur dyshime se bëhet fjalë për vrasës me pagesë. Pasi e lanë të vdekur në vend babanë e dy fëmijëve, ata dogjën automjetin në periferi të Rrëshenit për të zhdukur çdo gjurmë. Hetuesit po punojnë për rindërtuar itinerarin që ka ndjekur me makinë 48- vjeçari para se të ndalonte para një dyqani, ku bashkëshortja e tij zbriti për të blerë ushqime për drekë. Në këtë mënyrë, hetuesit shpresojnë që përmes kamerave të sigurisë në bizneset e qytetit, të mund të identifikojnë autorët, të cilët dyshohet se po e mbanin në vëzhgim Gjinin.

Ai po lëvizte me makinë bashkë me dy fëmijët dhe bashkëshorten e tij, kur dy persona kanë qëlluar me armë zjarri duke e lënë të vdekur. Më 6 maj të këtij viti, eliminimi i Armando Gjinit u tentua me lëndë plasëse. Poshtë makinës së tij ishte vendosur një sasi eksplozivi, por që shpërtheu vetëm pas ndërhyrjes së forcave xheniere të Policisë së Shtetit.

48-vjeçari e kishte parkuar makinën poshtë pallatit ku banonte në Rrëshen, ndërsa të nesërmen, pasi kishte dërguar dy fëmijët në shkollë, vërejti një pako të dyshimtë poshtë sediljes. Pas njoftimit të Policisë, u desh ndërhyrja e forcave xheniere që të kryenin shpërthim të kontrolluar për eksplozivin e vendosur brenda makinës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura