Dokumenti, si u divorcua Beqir Balluku me të shoqen para pushkatimit

SHPËRNDAJE

Beqir Balluku me te shoqen dhe me çiftin Koleka
Vendimin e Gjykatës gjeneralit ia komunikuan në qelinë e Burgut 313.

Procesi për zgjidhjen e martesës u zhvillua në mungesë të ish-ministrit të Mbrojtjes, pesë muaj para pushkatimit të tij.

Pesë muaj para pushkatimit, Beqir Balluku, ish-ministri i Mbrojtjes i dënuar për veprimtari armiqësore kundër Partisë dhe Pushtetit Popullor, i është nënshtruar një tjetër procesi gjyqësor: Atij të divorcit me të shoqen, Taibenë. Gazeta “Panorama” ka siguruar dokumentin e Gjykatës së rrethit Vlorë me vendimin për zgjidhjen e martesës së çiftit Balluku, shpallur zyrtarisht nga kreu i seancës gjyqësore Gaqo Shehi, më 12 qershor 1975. E shtrënguar nga autoritetet e regjimit, bashkëshortja e gjeneralit të njohur, i është drejtuar Gjykatës së qarkut ku jetonte me cilësinë e paditëses, për t’i kërkuar divorcin me të shoqin, i shpallur publikisht si kreu i grupit puçist. Për arsye të kuptueshme, dokumenti nuk sqaron rrethanat në të cilat Taibe Balluku është detyruar të kërkojë zgjidhjen e martesës me të shoqin pas 30 vitesh bashkëjetesë.

Në të, përveç formaliteteve procedurale me përbërjen e trupit gjykues dhe të dhënave të paditëses dhe të të paditurit, formatohet telegrafisht me stilin e kohës arsyetimi gjyqësor dhe verdikti i procesit “për zgjidhjen e martesës midis paditëses Taibe Balluku dhe paditësit Beqir Balluku për faj të paditësit, për shkak se ai ka kryer veprimtari armiqësore kundër Partisë dhe pushtetit popullor”. Dokumenti zbulon faktin e panjohur që seanca gjyqësore është zhvilluar në mungesë të të paditurit, i cili prej muajsh qëndronte në qelitë e paraburgimit në Tiranë dhe raportet zyrtare të çiftit të porsadivorcuar me gjashtë fëmijët që i përkisnin moshës madhore.

Procesi për zgjidhjen e martesës së ish-ministrit të Mbrojtjes me bashkëshorten ishte i treti pas dy të tjerëve që zyrtarizuan divorcin e dy gjeneralëve, Hito Çako e Rahman Parllaku, zhvilluar në fillimin e pranverës së atij viti. Madje, në rastin e Çakos, trupi gjyqësor ishte kryesuar nga i njëjti gjyqtar që kishte firmosur vendimin për çiftin Balluku. Por çfarë përmban tjetër dokumenti i procesit të njohur si “Procesi Balluku”? Afrim IMAJ

Ka qenë mesi i qershorit i vitit 1975 kur Taibe Balluku, e shoqja e ish-ministrit të Mbrojtjes të akuzuar për tradhti të lartë dhe veprimtari armiqësore, është paraqitur në Gjykatën e Vlorës për t’iu përgjigjur autoriteteve të regjimit për divorcin zyrtar me të shoqin. Nuk kishte mjaftuar arrestimi i Beqirit dhe internimi i saj me fëmijët nga Tirana në Selenicën e largët, por duhej shkatërruar përfundimisht edhe familja, strehëza në të cilën kishin lindur e rritur gjashtë fëmijë. Përkujdesja e regjimit në këtë rast nuk lidhej me ruajtjen e pastërtisë së familjarëve të të kryqëzuarit, siç propagandohej rëndom, por ishte pjesë e represionit të pamëshirshëm ndaj kundërshtarëve të tij. E ndodhur në kushte të tmerrshme, përballë një presioni të jashtëzakonshëm, 45-vjeçarja Balluku nuk kishte as mundësinë më të vogël të kundërshtonte sjelljen e detyruar për t’u ndarë zyrtarisht me të shoqin. Për zyrtarët e kohës mjaftonte një firmë në letrën e parapërgatitur ku emri i saj figuronte në cilësinë e së paditurës dhe procedura mbi objektin “zgjidhje martese” zgjidhej aty për aty, “në mbështetje të Kodit të Familjes”.

PROCESI “BALLUKU”

Procesi gjyqësor për divorcin e Beqir Ballukut, njërit prej liderëve historikë të regjimit komunist, me bashkëshorten Tajbenë është zhvilluar pesë muaj para ekzekutimit të ish-ministrit të Mbrojtjes, i akuzuar për veprimtari armiqësore kundër Partisë dhe pushtetit popullor. Vendimi “në emër të popullit” i Gjykatës së Rrethit Vlorë që ka shqyrtuar çështjen, mban datën 12 qershor 1975 dhe nënshkrimin e kryetarit të seancës Gaqo Sheshi. Procesi është asistuar nga sekretaria Vasilika Nishku dhe është zhvilluar me dyer të hapura.

Dokumenti me arsyetimin gjyqësor, përveç formaliteteve procedurale, përmban të plotë rrjedhën e procesit për zgjidhen e martesës së kërkuar nga “paditësja Taibe Balluku, e bija e Hysniut dhe e Samas, lindur në vitin 1924 në Berat, me banim në Selenicë, me arsim gjashtë klasë, e martuar me gjashtë fëmijë dhe të paditurit Beqir Balluku, i biri i Aliut dhe Naxhijes, lindur në vitin 1917 në Tiranë, i arrestuar, me arsim të lartë me gjashtë fëmijë”. Gjykata, nënvizon dokumenti, pasi shqyrtoi aktet, provat e administruara dhe deponimin e paditësen që kërkoi pranimin e padisë në mungesë të të paditurit, vërejti se në bazë të certifikatës martesore rezulton që ndërgjyqësit Beqir e Taibe Balluku janë martuar në vitin 1945 dhe nga kjo martesë u kanë lindur fëmijët Çlirim, Vladimir, Drita, Agim, Luljeta dhe Agron Balluku, përkatësisht në 1945, 1949, 1950, 1954 dhe 1956.

Gjatë zhvillimit të gjykimit, konstaton trupi gjykues, rezultoi e provuar se marrëdhëniet bashkëshortore janë tronditur rëndë për fajin e të paditurit Beqir, për shkak se ai ka kryer veprimtari armiqësore kundër Partisë dhe pushtetit popullor. Më tej, procesi vlerëson juridikisht faktin që të gjithë fëmijët janë madhorë (mbi 18 vjeç) dhe nuk kanë nevojë për rritje e edukim nga ndërgjyqësit dhe finalizon procedurën me vendimin që sanksionon “zgjidhjen e martesës midis paditëses Taibe Balluku dhe të paditurit Beqir Balluku për faj të të paditurit”. Dokumenti gjyqësor mbyllet me shprehjen urdhëruese “shpenzimet e procesit i paguan i padituri” dhe nënshkrimin e kryetarit të trupit gjykues, Gaqo Sheshi.

(Specialen e plote e lexoni sot ne gazeten Panorama)

Te lidhura

 

11 KOMENTET

Comments are closed.