Autobiografia e vitit 1951, Mehmet Shehu: Kam pasur prirje terroriste

SHPËRNDAJE

Mehmet Shehu nuk ka qenë ai që prezantonte Enver Hoxha në kongreset e Partisë, kur e propozonte për Kryeministër. S’ka qenë vetëm “udhëheqësi i lavdishëm i Partisë”, “komandanti legjendar i betejave”, “luftëtari i shquar i Spanjës” e të tjera.

Ato që nuk iu përmendën kurrë në biografinë zyrtare, Mehmet Shehu i ka shënuar me dorën e vet në jetëshkrimin e tij në vitin e largët 1951. Dokumenti i panjohur është zbuluar vetëm pas (vet)vrasjes së ishkryeministrit, kur Hoxha urdhëroi hapjen e kasafortës personale, në të cilën u gjet dosja me emërtimin “Autobiografia-Mehmet Shehu”.

Mehmet Shehu në shtratin e vdekjes
Mehmet Shehu në shtratin e vdekjes

Në rrethana krejt të tjera nga ato të mëvonshmet, kur shkëlqente në majën e piramidës politike, Shehu ka dokumentuar aty në mënyrë kronologjike e me një lloj sinqeriteti momentet më të rëndësishme të jetës dhe veprimtarisë së tij, pa menduar për aspektet që mund ta penalizonin.

Në të ndriçohen mjaft ngjarje e fakte të panjohura që konturojnë një profil tjetër të ish-kryeministrit. Është rasti i vetëm që Shehu zbardh me vërtetësi rininë problematike të tij, ku spikat natyra prej aventurieri në vitet e shkollimit, por jo vetëm. Në aq sa pohon në autobiografi, nuk kuptohet qartë nëse ka përfunduar apo jo arsimin e mesëm.

(Përveç shkollës teknike, ka lënë në mes Shkollën e Oficerëve; ka marrë bursë për Kolegjin e Napolit, por është përjashtuar pa e përfunduar). I prirur të shpjegojë karakterin luftarak që ia admironte vetes, ishkryeministri hedh dritë në një tjetër aspekt të padëgjuar të personalitetit të tij. “Në kohën e Zogut, shkuan ai, m’u shfaq ideja për akte terrori që të asgjë- soja deputetët dhe Qeverinë në sallën e Parlamentit me granata”.

Sakaq, në dokumentin në fjalë, Shehu pranon se ka pasur prirje ekstremiste, që lidhen me tipin impulsiv dhe nxitimin në dhënien e mendimeve të prera. Pa dyshim që kjo s’ka kaluar pa pasoja, nënvizon ai, duke përmendur rastin e pushkatimit të 66 nacionalistëve në Lushnjë në vitet e luftës dhe përpjekjet e fshehta për të vrarë Sadik Premten.

Enver_Hoxha_dhe_Mehmet_Shehu
Pjesët më interesante të jetëshkrimit të njeriut që drejtoi qeverinë komuniste shqiptare 27 vite me radhë, janë ato ku përmenden emrat e shokëve dhe miqve, raportet me të cilët kanë lënë gjurmë të pashlyera në formimin dhe karakterin e tij.

Jo pak syresh (Qazim Koculi, Beqir Valteri, Azis Çami, Zai Fundo, Mane Nishova, Zef Prela, Kadri Hoxha, Shyqyri Rroqi, Halit Zogolli, Xhemal Punavia etj.), për regjimin që përfaqësoi autori i autobiografisë, ishin jo thjesht të padëshirueshëm, por tradhtarë e agjentë të të huajve. Në vitet që pasuan Shehu nuk i zuri më në gojë dhe iu bashkua korit të propagandës komuniste që i stigmatizonte si antishqiptarë.

Në autobiografinë e vitit ’51, ish-kryeministri i vetëvrarë në kushte të dyshimta 34 vjet më parë, duke u gdhirë 18 dhjetor 1981, shpjegon disi ndryshe mënyrën si u gjend në Luftën e Spanjës dhe rastet e burgosjes në Francë, Itali e Shqipëri.

SHKOLLA
Shkollën Teknike të Tiranës e kam kryer në vitin 1932. Aty shkova pasi fitova konkursin. Pastaj jam regjistruar në Shkollën e Oficerëve në Tiranë ku më pranuan mbasi bëra kërkesë për të kryer shërbimin ushtarak me që nuk gjeja punë, por më liruan se në letërnjoftim figuroja me moshë të vogël. Më 1934 u futa traktorist në Fermën e Shkollës Teknike, por me ndë- rhyrjen e miqve të familjes m’u dha një bursë ushtarake për në Kolegjin e Napolit.

Në Tiranë kam pasur kontakt me Skënder Rusin, Shyqyri Rroqin, Mane Nishovën, Mustafa Gjinishin e Demir Godellin, me të cilët diskutonim kundër regjimit. Nga Mustafa Gjinishi merrja rregullisht shtypin e emigracionit shqiptar në Francë dhe kam marrë dhe disa broshura në gjuhën angleze për kolkozet e sovjetikëve. Mustafanë e konsideroja “revolucionar të pjekur”, prandaj i kërkova dhe mendimin për të shkuar në Kolegjin e Napolit, i cili m’u dha.

Në këtë kohë tek unë u shfaq ideja e luftimit të regjimit të Zogut me anën e terrorit e të heronjve dhe isha i vendosur të kryeja akte të tilla. Unë propozoja plane të çuditshme, si p.sh. asgjësimin e deputetëve dhe të qeverisë gjatë mbledhjes së tyre në Parlament me anën e granatave. Nga Kolegji i Napolit kam mbajtur korrespodencë me Shyqyri Rroqin. I kam shkruar në këtë kohë edhe Qazim Koculit në Francë etj.

Nga Kolegji i Napolit u largova pa e mbaruar, sepse m’u krijua një situatë e vështirë: Bashkënxënësit Xhafer Kurti, Halit Zogolli e Xhemal Punavia më vodhën disa vjersha e dokumente, të cilat ua rimora duke u thyer valixhen. Veç kësaj, i kisha dorëzuar disa dokumente Kadri Hoxhës për t’i ruajtur, por ai ua dorëzoi njerëzve të Zogut dhe mua më tha se ia vodhën. Kështu mendova se do më arrestonin dhe u lidha me familjen, e cila më dërgoi para dhe një telegram sikur kisha nënën sëmurë dhe u ktheva në atdhe. Në fshat hyra në kontakt me një kushëri që rrinte i fshehur se e kërkonte xhandarmëria.

Rashë dakord më të të arratisemi në Greqi, por dy orë para nisjes u rrethuam nga xhandarmëria. Nuk na zunë dot. Në Kalivaç na takoi babai dhe na bindi të dorëzoheshim. Kështu më çuan në burgun e Tiranës dhe pastaj në burgun ushtarak ku qëndrova dy muaj. Në pyetje më mori prokurori i shtetit, Kiço Bisha, i cili më akuzoi për dokumentet e Napolit, por unë i thashë se ato drejtoheshin jo kundër Zogut, por kundër Xhelal Nushit, i cili kur isha traktorist më kishte caktuar rrogë të vogël. Kështu u lirova për mungesë faktesh.

Në këtë kohë dëgjova se Italia do të jepte ca bursa për djem shqiptarë dhe i bëra lutje Qeverisë italiane, por kjo nuk ma dha. Në verën e vitit 1936 punova përsëri ca kohë si traktorist në Fermën e Shkollës Teknike e pastaj më kërkuan të kryeja shërbimin ushtarak në Shkollën e Plotësimit të Oficerëve, të cilën e përfundova në vitin 1937.

DREJT SPANJËS

Në vitin 1937 ndoqa me vëmendje zhvillimin e luftës së Spanjës dhe vendosa të shkoja atje. Këtë gjë e dinte Mane Nishova dhe Skënder Rusi, i cili më dha adresën e Ali Kelmendit. Të hollat ia mora Rami Mamaqit. Në Ministri të Arsimit drejtova lutjen se gjoja do të shkoja me studime në Itali, duke kaluar nga Franca ku do të vizitoja gjoja një ekspozitë ndërkombëtare, për të cilën më ishte bërë garant Abedin Çiçi. Në Paris takova Qazim Koculin, Beqir Valterin, Azis Çamin e Zai Fundon. Qëllimin ia tregova Zoi Fundos. Ai më vuri në lidhje me qendrën e vullnetarëve për në Spanjë. Në dhjetor të vitit 1937 arrita në Spanjë. Në Spanjë u takova me Skënder Luarasin dhe Luixhi Longon, me këshillën e të cilit vajta në Brigadën “Garibaldi”. Në fund të dhjetorit u pranova në Partinë Komuniste, duke dhënë si rekomandues për në Parti Zai Fundon. Në shkurt të vitit 1939 u ktheva në Francë, ku më çarmatosën dhe më internuan në Cyprien, pastaj në Gurs e në Vernet bashkë me të tjerë vullnetarë.

Në Gurs u burgosa 70 ditë bashkë me Hulsi Spahinë. Kur Franca u pushtua nga Gjermania, në kamp erdhi një komision ushtarak italo-gjerman që merrej me riatdhesimin e vullnetarëve. Unë, Mane Nishova dhe Zef Prela kërkuam të ktheheshim në Shqipëri, Hulsiu u arratis, kurse Skënder Luarasi kërkoi të shkonte në Amerikë.

Nga që komisioni nuk i mori parasysh kërkesat tona, unë i drejtova një lutje qeverisë së Mustafa Krujës në Tiranë dhe ministrit shqiptar në Romë, Fred Vokopola. Në qershor të vitit 1942, qeveria franceze na nxori në kufirin italian mua, Manen dhe Zef Prelën, ku hymë pa dokumente identiteti, sepse gjatë rrugës e bindëm kapterin e shoqëruesit francez, duke i dhënë 1000 franga që të mos i dorëzonte dokumentet tona. Në kufi më pyetën vetëm 20 minuta. Unë thashë se isha punëtor në Francë e kur u shpall lufta, qeveria franceze më internoi. Italianët më çuan në burgun e Ventimigias e me radhë në burgjet e Genovës, Ankonës e Barit.

Pas dy muajve në këto burgje erdha në Durrës, kurse Mane e Zefi mbetën në Bari. Në Durrës më burgosën e më çuan në kuesturën e Tiranës. U lirova pas 24 ditësh me ndërmjetësimin e Qazim Koculit e të Fred Vokopolës.

ILEGAL ME HYSNI KAPON

Nga Tirana shkova te një kushëri që ishte toger në Durrës, ku mora një pistoletë e prej andej shkova në Vlorë e në fshat, ku dola menjëherë në ilegalitet e u lidha me shokun Hysni Kapo. Fashizmi kuptoi gabimin që bëri që më liroi dhe vuri çmim për të më vrarë, por dy atentatorët u kapën nga ne dhe u pushkatuan.

Në Vlorë kam pasur grindje me Liri Gegën dhe kur dëgjova për vrasjen e Mynir Xhindit, e kuptova se ky ishte kombinacion i Liri Gegës, prandaj m’u fiksua ideja se Liria ishte armike e Partisë. Kurse ndaj Sadik Premtes më mungoi vigjilenca dhe më vonë nuk e likuidova, mbasi Dushan Mugosha më dha direktivën jo të drejtë, sipas së cilës duhej ta likuidoja, por në mënyrë shumë të kujdesshme. Unë vetë në këtë kohë kam qenë shumë sektar dhe i ngurtë kundër elementit nacionalist.

KOMANDANT NË LUFTË

Nga gushti i vitit 1943 deri në çlirimin e vendit kam ndjerë sadisfaksionin që KQ më besoi t’i veja në ndihmë Shtabit të Përgjithshëm. Në Brigadën e Parë kam pasur pakënaqësi ndaj Tuk Jakovës, se e konsideroja pengesë për sukseset e Brigadës. Liri Gega më bënte intriga, shikoja mospërfillje nga ana e saj ndaj meje si kandidat i KQ.

Gabimin që pushkatova 66 ballistë në Lushnjë e bëra, sepse ekzistonte tek unë fryma ekstremiste dhe po kështu më influencoi Dushan Mugosha, i cili ishte më ekstremist se unë. Nuk kam qenë dakord me ngritjen në përgjegjësi të Liri Gegës, Ramadan Çitakut dhe Dali Ndreut. Për këtë kam kërkuar sqarime dhe në maj 1944 më thirri në KQ shoku Enver, ku ishte edhe Liria e Ramadani. Aty unë heshta, se po të flisja, fjalët e mia do të ktheheshin në armë kundër meje. Në fund të vitit 1944, kur dëgjova që Liria e Ramadani u përjashtuan nga KQ e sekretar organizativ u zgjodh Koçi Xoxe, u gëzova shumë. Vendimet e Plenumit të Dytë të KQ i mora vesh në vitin 1948, se mua nuk më vihej veshi në KQ, më mbanin në periferi, prandaj isha i pakënaqur.

PAS ÇLIRIMIT
Shenjat e para të jugosllavëve për të shkrirë ushtrinë tonë me atë të tyre fillova t’i shihja që në vitin 1946, por zemërimi i tyre (jugosllavëve) ndaj meje u shtua pas konferencës së shtatmadhorisë sonë, në prill të vitit 1947, dhe ata intensifikuan intrigat e tyre derisa nga fundi i vitit 1947 ata morën në dorë drejtim e Drejtorisë Politike e të Shtatmadhorisë. Periudha më e tmerrshme për mua ka qenë nga nëntori 1947 deri në shtator 1948. Me vetëvrasjen e Nako Spiros për mua u bë e qartë se Partia kish rënë në duart e trockistëve dhe shoku Enver qe izoluar.

Qysh atë ditë, unë e humba besimin në udhëheqjen e atëhershme të Partisë. Nako më kish folur se Koçi po përgatitej ta akuzonte Nakon si armik e unë i këshillova durim dhe të bisedonte me shokun Enver. Po Nako më tha se do të vriste veten. Unë nuk e besova dhe e nënvleftësova guximin e tij. U krijua gjendja: Nako vrau veten, shokët e tjerë të Byrosë e kishin humbur orientimin, mua më kanosej arrestimi. Këtë tablo ia kam shprehur shokut Sokolov (ambasadorit të BS në Tiranë-shënim i red.).

Ne s’e dinim fytyrën e Titos, por antisovjetizmi i jugosllavëve dhe sjellja prej trockisti e K. Xoxes ish e qartë. Po të ishim kapur pas thelbit të çështjes, ne do ta kishim evituar Plenumin VIII. Plenumi, megjithëse e dënoi veprimtarinë, e lejoi Koçi Xoxen të qëndronte në udhëheqje të Partisë, punë kjo që karakterizohet nga përmbajtja e saj oportuniste. Procesin që organizoi Koçi Xoxe kundër atyre që kishin kryer Shkollën Teknike të Fullcit, se kishin kryer kurs si agjentë amerikanë, nuk e quajta të drejtë. Koçi e bënte këtë manovër që edhe unë të konsiderohesha agjent i amerikanëve. Dhe, po të provohej kjo tezë me metodat e Koçit, mund të provohej dhe implikimi i Nakos e Liri Belishovës, sepse ata të dy kishin afinitete me mua. Pas ndonjë procesi të kurdisur për Nakon dhe për mua, do kurdisej dhe procesi i fundit ku të implikohej shoku Enver. Këtë e vërteton provokacioni i K. Xoxes me anën e letrave të Pandi Frashërit.

AFRIM IMAJ

Te lidhura

 

15 KOMENTET

Comments are closed.