Banorët e kompleksit të lartë Wang Fuk Court në Hong Kong, i cili u përfshi nga flakët në zjarrin më vdekjeprurës të qytetit në shtatë dekadat e fundit, ishin informuar vitin e kaluar nga autoritetet se përballeshin me “rreziqe relativisht të ulëta zjarri”. Kjo, pavarësisht ankesave të përsëritura të tyre për rreziqet e punimeve të vazhdueshme të rinovimit, deklaroi për Reuters Ministria e Punës.
Sipas një zëdhënësi të ministrisë, banorët kishin ngritur shqetësime që në shtator 2024 lidhur me punimet e mirëmbajtjes, përfshirë pyetjet nëse rrjeta mbrojtëse e gjelbër e vendosur mbi skelat prej bambuje ishte material i ndezshëm.
Ministria thotë se më pas kishte verifikuar certifikimin e sigurisë së rrjetës, e cila shërbente si mbrojtje ndaj rënies së mbeturinave, dhe i kishte njoftuar banorët se “performanca zjarr-rezistuese” e materialit përmbushte standardet.
Megjithatë, dje policia e Hong Kongut deklaroi se muret e jashtme të ndërtesave ishin të mbuluara me rrjeta, membrana, mushama dhe fletë plastike “që dyshohet të mos i jenë nënshtruar standardeve të sigurisë nga zjarri”. Tre persona të lidhur me kompaninë e rinovimeve Prestige Construction u arrestuan si të dyshuar për vrasje nga pakujdesia.
Ende nuk është përcaktuar shkaku i saktë i zjarrit të së mërkurës, i cili u ka marrë jetën të paktën 128 personave. Por sipas Xiang Liming, ekspert i sigurisë nga zjarri në Politeknikun e Hong Kongut, pamjet e analizuar prej tij tregojnë se flakët u përhapën me shpejtësi përmes sistemit të jashtëm të skelave.
Prestige Construction, e cila në janar 2024 kishte nënshkruar një kontratë rinovimi me vlerë 330 milionë dollarë hongkongas (42,4 milionë USD), nuk iu përgjigj kërkesave për koment. Nuk ishte e mundur të kontaktoheshin as tre të arrestuarit, të cilët nuk u identifikuan nga autoritetet.
Një gazetar që vizitoi mëngjesin e sotëm zyrën e Prestige vuri re se dera metalike e hyrjes ishte ulur menjëherë sapo ai mbërriti.
Policia, e pyetur për rivlerësimin e certifikimit të rrjetës nga Ministria e Punës, u referua vetëm deklaratës së saj të një dite më parë, duke thënë se do të “mbledhë prova dhe do të kryejë një hetim të plotë për të zbuluar shkakun e zjarrit” pasi flakët të jenë shuar plotësisht.
Ministria e Punës tha për Reuters se vlerësimi për “rrezik të ulët” i ishte dhënë kompleksit me kusht që të shmangeshin procedura të rrezikshme si saldimi, por theksoi se kjo nuk përjashtonte ekzistencën e rreziqeve të tjera. Ajo shtoi se i kishte kërkuar kontraktorit të zbatonte masa parandaluese kundër zjarrit.
Sipas ministrisë, nga korriku 2024 deri në nëntor 2025 ishin kryer 16 inspektime sigurie në Wang Fuk Court. Gjithashtu, kontraktori ishte urdhëruar gjashtë herë të përmirësonte praktikat e punës dhe kundër tij ishin hapur tre procedura ndëshkimore, pa dhënë më shumë detaje. Reuters nuk arriti të përcaktonte rezultatin e këtyre procedurave.
Si u përhap zjarri
Zjarri i së mërkurës u përhap me një shpejtësi tronditëse. Ekipet e zjarrfikësve u njoftuan për flakët në një prej godinave të Wang Fuk Court në orën 14:51. Brenda pesë minutave që iu deshën për të mbërritur, flakët kishin kapur skelat, kishin hyrë në ndërtesë dhe ishin përhapur në kullat e tjera, sipas shërbimit zjarrfikës.
Brenda rreth katër orësh, shtatë nga tetë godinat 32-katëshe ishin përfshirë plotësisht nga zjarri. Tym i dendur e bëri të vështirë për ekipet e para të shpëtimit të arrinin në katet e sipërme.
Qindra nga 4.600 banorët u strehuan përkohësisht. Rreth 200 persona rezultojnë ende të zhdukur.
© Panorama.al












