Zia për Baba Reshatin anulon fushatën

Apr 5, 2011 | 10:42

Politika shqiptare i dha dje lamtumirën e fundit udhëheqësit shpirtëror të bektashinjve, Kryegjyshit Botëror, Haxhi Dede Reshat Bardhi.Ata braktisën vetëm për një ditë fushatën elektorale, ndërsa institucionet ulën flamujt në gjysmështizë, pas vendimit të qeverisë për shpalljen e ditës së djeshme zi kombëtare. Nga ora 10:00 deri 12:00 u zhvilluan homazhet përkatëse në Pallatin e Kongreseve, ndërsa trupi i tij, sipas ritit të këtij besimi, u varros pranë Kryegjyshatës, në orën 13:30.
Presidenti Topi
Pas përuljes para trupit të pajetë të udhëheqësit të lartë fetar, Presidenti shprehu ngushëllimet më të sinqerta. “Kam ardhur këtu jo vetëm të nderoj Baba Dede Reshat Bardhin, si një institucion i jashtëzakonshëm dhe një kontributor i pamatë për rivendosjen e besimit shpirtëror, fetar në institucione, por për ta kujtuar atë edhe si një atdhetar, si një patriot”, tha Presidenti, teksa e konsideroi privilegj faktin që e kishte njohur nga afër Kryegjyshin.
Kryeministri Berisha
Teksa shprehu ngushëllimet e tij, Kryeministri vlerësoi lart virtytet dhe përkushtimin e Kryegjyshit. “Dua t’i shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta, së pari familjes dhe të gjithë udhëheqjes së bektashinjve shqiptarë kudo ku janë, por edhe gjithë besimtarëve shqiptarë, të cilët humbasin sot një udhëheqës, një burrë, i cili, me aftësitë e tij, riktheu në këtë vend bektashizmin. Uroj që shpirti i Baba Reshatit të gjejë dritën dhe paqen e merituar”, u shpreh Berisha.
Kryeparlamentarja Topalli
E ka cilësuar si humbje të madhe. “Nderojmë duke i dhënë lamtumirën e fundit udhëheqësit shpirtëror të bektashinjve. Sot, të gjithë shqiptarët, jo vetëm besimtarët bektashinj në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni dhe jashtë rajonit tonë, përjetojnë humbjen e udhëheqësit, i cili punoi për rilindjen e një ndër besimeve më atdhetare. Një njeri që punoi për harmoninë fetare”, tha Topalli.
Kryesocialisti Rama
Homazhe janë kryer edhe nga kryetari i PS-së, Edi Rama, i cili theksoi rolin e Baba Dede Reshat Bardhit, si një nga protagonistët kryesorë të harmonisë fetare në Shqipëri. “Baba Dede Reshat Bardhi i përket një gjenerate klerikësh, falë të cilëve ne sot gjenerojmë një harmoni mes feve që mishërohet kaq bukur edhe në pritjen e sotme, ku përfaqësuesit e komuniteteve presin ngushëllime për Baba Reshat Bardhin”, tha ai.
Kreu i LSI-së
“Unë e shoqërova Baba Reshat Bardhin si deputet i Skraparit në atë kohë, në këtë përpjekje të parë që ai bëri për të rilindur një traditë që ishte ndërprerë në mënyrë të dhunshme nga regjimi i mëparshëm”. Kështu e kujtoi kreu i LSI-së, Ilir Meta, i cili vuri në dukje popullaritetin e Kryegjyshit gjatë ceremonisë së varrimit.

Fatos Nano, kurorë për Baba Reshatin
Një kurorë nga Fatos Nano për Kryegjyshin Botëror, Haxhi Dede Reshat Bardhi. Në pamundësi për të ardhur në Shqipëri, ish-kryeministri i vendit dhe ish-kryetari i Partisë Socialiste ka dërguar një mesazh ngushëllimi për udhëheqësin shpirtëror, ku shkruhej: “Për prindin e dashur të shqiptarëve! Me shumë dashuri dhe respekt, Fatos Nano”. Mesazhi me kurorën e luleve, është vendosur pranë trupit të pajetë të baba Reshatit nga disa mbështetës të Nanos, ndërsa i kanë shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjarëve, drejtuesve dhe anëtarëve të Bashkësisë Bektashiane.

Basha, në një lagje me Baba Reshatin
Lulzim Basha ka një lidhje të veçantë me Baba Dede Reshat Bardhin, pasi ai është rritur në të njëjtën lagje ku banonte edhe udhëheqësi shpirtëror i bektashinjve. Ndaj, për të respektuar ditën e zisë kombëtare, kandidati demokrat për Bashkinë e Tiranës anuloi të gjitha takimet elektorale në Tiranë. “Zotit të madh, të cilit sot i lutemi t’i japë paqen e amshuar dhe ta marrë pranë vetes së tij, ashtu sikundër i shërbeu gjithë jetës”, u shpreh, ndër të tjera Basha, ndërsa dha vlerësimin e tij për Baba Dede Reshat Bardhin.

 

ELISABETA ILNICA

© Panorama.al

Te lidhura