“Zgjimi i rinisë fat i madh, ta mbështesim”- Berisha nga Cërriku për protestën: Rama mbrojti Lubi Ballukun, bllokoi heqjen e imunitetit! Bën antimitingje! Po përgatit ikjen e Belindës

Jun 13, 2026 | 18:03

Kryetari i PD-së, Sali Berisha, komentoi sot nga takimi me fermerët në Cërrik edhe aktualitetin politik dhe në veçanti protestën kombëtare të shqiptarëve që mbahet prej 14 ditësh.

berisha cerrik

Teksa iu përgjigj pyetjeve të fermerëve të zonës dhe bujqve, ai tha se Rama po përgatiste të largonte Belinda Ballukun që ta shpëtonte nga arrestimi, por theksoi se ata nuk do e lejonin.

Berisha tha se rinia shqiptare është fati i vendit dhe apeloi për mbështetje të saj në protestën qytetare në bulevard.

Berisha hodhi akuza edhe ndaj Ramës për mbrojtjen që i bëri Ballukut teksa rrëzoi kërkesën e Prokurorisë për heqjen e imunitetit.

“Zgjimi i rinisë shqiptare është fati më i madh. Ndaj duhet t’ia japim një krah, një mbështetje rinisë. Ai ka plaçkitur miliarda. Ju e patë se çfarë bëri me Lubi Ballukun ai, prokurori i thoshte ajo me këtë dosje këtu meriton 36 vite burg, kurse ky nuk votonte heqjen e imunitetit. Në Shqipëri Call-Centerat bëjnë kërdinë, vjedhin me skemë mashtrimi. Dikush më tha se nën patronazh i ka Olta Xhaçka, ajo që duket si ndrikull, kurse si kryesor i ka Olsi Rama. Ata më thanë kanë programin dhe na japin ne përqindjen. Mbrojtjen nga tatimet dhe Policia ua garanton Olsi. Vjedhin ditë e natë pensionistët e vendeve të tjera me bitcoin, fute këtu në portofol dhe ata ia marrin e zhdukin me teknikë, e vjedh masivisht. 2 miliardë ka vjedh ky grup duke vjedhur masivisht nga Olsi Rama dhe nën drejtimin e Edi Ramës, se ai është”, u shpreh ai mes të tjerash.

Kryedemokrati shigjetoi kryeministrin edhe për antimitingun e djeshëm në 35-vjetorin e PS-së në sheshin “Italia” në Tiranë, pak metra nga Kryeministria ku protestonin qytetarët.

“Shikoni si bën, bën antimitingje, është i luajtur, bën si i luajtur se s’është ashtu. Merret me blogerët. Jo, nuk është për blogerët, është për oligarkët, është për atë rini, është për Shqipërinë. Ai po përgatit edhe largimin e Belindës, po, ua them unë, po e përgatit që të ikë. Por kudo që të shkojë, edhe prapa diellit të vejë, ajo do vijë këtu”.

Për kreun e selisë blu, kryeministri nuk ikën vetë po nuk e hoqën shqiptarët.

“Ta dini se po nuk e hoqët ai nuk ikën. Nuk ikën ndryshe ai, po s’e hoqët”, tha ai.

I pyetur për heqjen e “non grata” nga SHBA, teksa u pyet nga banorët, ai u përgjigj:

“E drejta vonoi, por nuk harroi. Njeriu punon për dinjitet. Unë jam këtu me ju sot për të kthyer votën e lirë të shqiptarëve, për të bërë që ata të zgjedhin me votën e lirë të tyre”.

Berisha hodhi akuza edhe ndaj ish-kryetarit Lulzim Basha, duke thënë se jo vetëm ishte i korruptuar, por punonte edhe pas kurrizit të demokratëve në favor të Ramës.

“Kryetari ishte ai që mos qoftë. Lërë mos e pyet. Ai punonte pas shpine, e kish fut Edi Rama në xhep, se ai ka aftësi korruptive të jashtëzakonshme. Kam thënë se këtë parti nuk do ta kontrollojë kush përveç anëtarëve të vetë, aty jam rikthyer në PD, aty jam kthyer, ta harrojnë ata, ndaj jam kthyer, partia është e anëtarëve. Jemi në moment kritik, duhet të ngrihen të gjithë shqiptarët ndaj një njeriu që ka bërë dëme më shumë se kush tjetër. Se ky ka larguar mes të tjerash 46% të shqiptarëve, na duhen 40 vjet për të shkuar ku ishim, ua them unë”.

© Panorama.al

Te lidhura