Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha akuzoi qeverinë se ka braktisur fermerët shqiptarë, ndërsa e cilësoi buxhetin prej 32 milionë eurosh për bujqësinë si qesharake. Në një takim me fermerët në Cërrik, kryedemokrati tha se fermerët shqiptarë janë më të diskriminuarit në rajon dhe Evropë.
Ai e cilësoi Ballkanin e Hapur si një akt armiqësor ndaj fermerëve shqiptarë, sepse sipas tij, hapi rrugën për prodhimet serbe. Sipas tij, kjo situatë ka çuar në vështirësi të mëdha për prodhuesit vendas, përfshirë uljen e prodhimit dhe probleme në tregtimin e produkteve.
“Çfarë ishte Ballkani i Hapur? Ishte një akt armiqësor ndaj jush. Sepse hapi dyert në të katër anët për vërshimin e prodhimeve bujqësore të shumadijes të Serbisë, vend i cili subvencionin ndaj fermerëve jo tani, por dhe 40 vite më parë e ka patur 8 herë më të madh se ç’e keni ju sot. 8 herë më të madh. Po!
Ata kanë nga sistemet e vaditjes më moderne në Europë. E ka dhe Kosova atë sistem të trashëguar, e të tjerë e të tjerë. Dhe tani hapin thotë doganat, të vijë kamioni, se vonohet kamioni. E çfarë ndodhi? Therje masive e lopëve, e të imtave, qumështi pluhur vërshoi dhe ju mbeten prodhimet, ju mbetet gjithçka tjetër vetëm të vuani. Ndaj dhe ne e konsiderojmë jetike mbështetjen tuaj.
Çfarë investimesh janë bërë në Shqipërinë rurale? Pothuajse zero. Në zonat bujqësore, në fshatra, i ndërpreu. Në një kohë kur ato ishin zonat me nevoja absolute më të mëdha. Pra, fermeri shqiptar sot është fermer i braktisur, është fermer i dekurajuar, është fermer i dënuar nga prodhimet që vijnë pas hapjes së kufijve në Ballkanin e Hapur. Sot jam këtu për t’ju zotuar se një nga aktet e para, anulimi përfundimtar i çdo akti të Ballkanit të Hapur.”, tha Berisha.
Berisha iu bëri gjithashtu të rinjve fermerë që t’u bashkohen atyre që prej ditësh po protestojnë kundër Edi Ramës para kryeministrisë.
“Jam këtu për t’u bërë thirrje të gjithë atyre të rinjve që janë sot në ferma, unë e di se lodheni gjatë ditës, por bëni gjithçka të jeni tek bashkëmoshatarët tuaj në Tiranë. Se ata po firmosin historinë, po shpëtojnë Shqipërinë nga regjimi më i keq që ka patur pas Enver Hoxhës gjer sot.”, shtoi më tej kryedemokrati.
Një koment bëri edhe për dhunën dhe tërheqjen zvarrë të protestuesit në Zvërnec, duke theksuar se një gjë e tillë nuk ndodh as në Korenë e Veriut.
“E zvarritën në tokë qytetarin sikur të ishte një berr i therur dhe jo njeri. As në Korenë e Veriut nuk bëhet në këtë mënyrë. Ngrihet ai në mëngjes, e gjen të rrethuar me gjemba. Ku jemi këtu?”, tha Berisha.
© Panorama.al












