ILIR KALEMAJ
Debati i hershëm ndërmjet vendeve të BE-së se kujt duhet t‘i jepet prioritet: zgjerimit apo thellimit, në fakt duket se po ravijëzohet në një autostradë të dyfishtë, me dy korsi paralele, ku këto procese po shihen si komplementare. Më parë janë parë si konfliktuale për shkak të energjive të limituara që duheshin fokusuar vetëm në njërën strategji, duke marrë parasysh dhe vështirësitë e natyrës teknike dhe politike në një mekanizëm të ndërlikuar, siç është BE-ja. Përsa i takon zgjerimit, në kohën kur ky proces duket në mes të rrugës, për shkak të qenies jashtë tij ende të një pjese sa natyrale, aq dhe të domosdoshme për kufijtë emergjentë të BE-së ekzistuese, pra të Ballkanit Perëndimor, dakordësia në një “road map” është një nga kushtet e panegociueshme të tij. Thellimi, nga ana tjetër, është një kusht i nevojshëm ekzistencial për vetë natyrën e Unionit Europian. Mekanizma të tillë rishtarë si European Financial Stability Facility, një lloj Ministrie ombrellë Financash e BE-së, sikundër dhe një Fond Monetar Europian, krijon premisat për një fond shpëtimi mjaftueshëm të madh për të shpëtuar bankat në prag kolapsi (si rasti i bankës “Dexia”, ku një ndërhyrje e koordinuar franko-belge arriti të shmangte falimentimin), për të garantuar tregjet dhe rikthyer besimin e konsumatorëve.
Euroskepticizmi në vendet e Europës Lindore, që u bënë pjesë e BE-së në 2004-n, varionte nga njëri vend në tjetrin. Por, me afrimin e datës së integrimit të plotë dhe me zhvillimet që u panë fill pas anëtarësimit, opinioni publik qartazi nisi të ndryshonte qëndrim ndaj BE-së. Për shembull, nëse marrim rastin e Polonisë, nëse vetëm 23 për qind kishin një qëndrim të favorshëm ndaj BE-së në 1999-n, numri shkoi në 38% në 2002-shin, 66% në 2003-shin dhe në rreth 72 për qind pas anëtarësimit të Polonisë në klubin europian. Disa nga arsyet e euroskepticizmit fillimisht qenë fakti të parit me skepticizëm të të ardhurave që gjeneroheshin nga Politika e Përbashkët Bujqësore, e cila dukej se favorizonte vendet që ishin ndërkohë anëtare, si Franca p.sh., dhe kjo do të sillte një kosto për fermerin polak, në një kohë që Polonia është vend gjegjësisht bujqësor. Së dyti, përfitimet e ndihmës europiane për zhvillimin e infrastrukturës dhe zhvillimit do të vinin vetëm gradualisht, duke bërë fillimisht të vështirë përballimin e kostove. Një frikë tjetër ishte paaftësia e tregjeve lokale për të përballuar tregjet e hapura, ku eksportet europiane me çmim konkurrues do të vërshonin në masë dhe pasiguria, nga ana tjetër, e bizneseve të vogla familjare, të cilat mund të rrezikoheshin seriozisht nga ky zgjerim.
Në fakt, siç u vu re më pas, tregjet rezistuan dhe eksportet u rritën, duke përmirësuar dukshëm dhe deficitin tregtar, bizneset familjare dhe në përgjithësi biznesi i vogël rezistoi mirë, ndërkohë që shkalla e penetrimit të investimit të huaj direkt nuk ishte e atyre përmasave sa të kërcënonte seriozisht ekonominë lokale. Si rast tjetër suksesi mund të përmendet Sllovakia, një vend që rrezikonte seriozisht të bëhej pjesë e zgjerimit të planifikuar me dhjetë vende në 2004-n. Sllovakia nën populizmin e Meciar-it, Kryeministrit jetëgjatë dhe kontrovers, nuk përmbushte plotësisht asnjë nga tri kriteret e Kopenhagës, që nga garantimi i shtetit të së drejtës me institucione të pavarura dhe funksionuese dhe garantimi i lirive dhe të drejtave ekzistenciale të minoriteteve deri te gjendja e brishte ekonomike, e cila nuk garantonte rezistim të presione komunitare në rast pranimi në BE. Pas vendimit politik për pranimin edhe të Sllovakisë, si pjesë e 10-shes (krahas disa vendeve të tjera që nuk i përmbushnin plotësisht kriteret, si Lituania, Letonia apo Qiproja), Sllovakia arriti t‘i përmbushte plotësisht ato brenda një kohe të shkurtër. Një nga sukseset e veçanta të Sllovakisë ishte të qenit i një prej vendeve të rralla të 17-shes së eurozonës, që plotësonte krejtësisht kriteret e saj makroekonomike, si përqindja e borxhit publik ndaj PBB-së, deficitin buxhetor dhe inflacionin, gjë që e arriti brenda një kohe relativisht shumë të shkurtër.
Këto raste, por edhe të tjera (për shembull Estonia apo Sllovenia me modelet e tyre të zhvillimit), mund të dëshmojnë shkallën e lartë të suksesit që sjell europianizimi i këtyre vendeve. Ky sukses është materializuar jo thjesht dhe vetëm në prizmin ekonomik, por edhe atë të funksionalitetit të shtetit, respektimit të të drejtave të pakicave, ulje të tensionimit politik, përshpejtimit të reformave, zhvillimit të infrastrukturës në përgjithësi, rritjes së konkurrencës nëpërmjet politikave zhvillimore që përputhen me realitetet lokale e kështu me radhë.
Duket se një nga debatet e ardhshëm ndërmjet politikëbërësve dhe studiuesve të BE-së nuk do të përqendrohet në atë nëse Europa e Bashkuar duhet të përqendrohet në thellim, pra në rrugën drejt federalizmit politik, apo në zgjerim, çka nënkupton se energjitë kryesore të saj do të jenë të përqendruara në këtë drejtim. Më tepër duket se të dy këto procese do të shkojnë dorë më dorë, por kjo nuk do të thotë që pranimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor do të jetë en block, pavarësisht suksesit individual në reforma në secilin prej tyre. Përkundrazi, vërejtjet e Komisionit Europian, të publikuara së fundi, vënë në pah më së miri dobësitë e secilit prej vendeve, duke vënë theksin te plotësimi individual i këtyre kushteve.
Për shembull, në rastin e Shqipërisë, zyra e regjistrimit të tokave ekziston vetëm formalisht, por jo në praktikë. Gjithashtu, fakti që tregjet lokale qëndrojnë vulnerabël apo dobësia e organizatave profesionale për të përmendur vetëm disa prej pikave të progres-raportit. Nuk janë për t‘u lënë jashtë dore edhe plotësimi i dymbëdhjetë rekomandimeve, të cilat kërkojnë kryesisht vullnet politik për t‘u realizuar, dhe jo për të kapitalizuar politikisht prej tyre, duke ia hedhur përgjegjësinë palës tjetër. Klasa politike duhet të tregohet e maturuar, e përgjegjshme dhe të arrijë të bjerë dakord për planin e masave dhe reformave që përshpejtojnë integrimin, çka do të thotë më tepër besueshmëri, më tepër fonde, më tepër fleksibilitet dhe më tepër progres në periudhën afatshkurtër dhe afatgjatë.











