Ignacio Abate është zyrtarisht trajner i Torinos.
Klubi i Serisë A i ka besuar kontratë të vlefshme deri në vitin 2028.
Abate që regjistron mbi 300 ndeshje me Milanin, do të vendoset në krye të Ardian Ismajlit me shokë.
NJOFTIMI I TORINOS:
“Klubi i Futbollit Torino ka kënaqësinë të njoftojë se, duke filluar nga 1 korriku 2026, drejtimi i ekipit do t’i besohet trajnerit Ignacio Abate. Trajneri ka nënshkruar një kontratë deri më 30 qershor 2028.
Ignacio Abate ka lindur më 12 nëntor 1986 në Sant’Agata de’ Goti (provinca e Beneventos). Ish-futbollist në rolin e mbrojtësit, ai u formua në akademinë e Milanit dhe debutoi në futbollin profesionist me fanellën kuqezi më 3 dhjetor 2003, vetëm 17 vjeç, në ndeshjen e fazës së 1/8-ve të Kupës së Italisë kundër Sampdorias.
Gjatë karrierës së tij ka fituar përvoja të rëndësishme me ekipet e Napolit, Piacenzës, Modenës dhe Empolit, ndërsa e njeh tashmë ambientin “granata”, pasi ka luajtur te Torino në sezonin 2008/09. Më pas u afirmua përfundimisht te Milani, me të cilin zhvilloi 306 ndeshje zyrtare dhe shënoi 3 gola, duke fituar një kampionat italian(Seria A) dhe dy Superkupa të Italisë.
Ai numëron gjithashtu 22 paraqitje dhe 1 gol me Kombëtaren e Italisë, me të cilën arriti vendin e dytë në Europianin 2012 dhe medaljen e bronztë në Kupën e Konfederatave 2013.
Pas përfundimit të karrierës si futbollist, në vitin 2021 nisi rrugëtimin si trajner duke punuar me sektorin e të rinjve të Milanit. Më pas mori drejtimin e ekipit Primavera të Milanit, me të cilin arriti rezultate shumë të rëndësishme, duke e çuar skuadrën në gjysmëfinalen e UEFA Youth League në sezonin 2022/23 dhe në finale sezonin pasues.
Në sezonin 2024/25 debutoi si trajner i një ekipi të parë në pankinën e Ternanës. Në kampionatin e fundit, Abate, në eksperiencën e tij të parë në Seria B, ishte protagonist i një sezoni shumë të mirë si trajner i Juve Stabia, që u mbyll me gjysmëfinalen e play-off-it për ngjitjen në Serie A. Ndeshja u humb ndaj Monzës, e cila më pas siguroi rikthimin në elitën e futbollit italian.
I gjithë klubi mirëpret sërish Ignazio Abaten me urimin më të përzemërt:
“Mirë se u ktheve në Torino! Punë të mbarë dhe gjithmonë Forca Toro!”. /Panorama Sport/
© Panorama.al












