Zgjedhjet, PS: Po falsifikohet rezultati

Apr 29, 2011 | 10:37

Partia Socialiste depoziton kallëzim penal për punonjësit e Gjendjes Civile dhe krerët e tre minibashkive në Tiranë.Sekretari Ligjor në PS, Fatmir Xhafaj, përmes dy kallëzimeve penale, kërkon ndjekjen për shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentesh për Ilir Kokonën, kreun e Minibashkisë Nr. 3, Luzhiana Abazi, kryetaren e Njësisë Bashkiake Nr. 6 dhe Blendi Fuga, kreun e Minibashkisë Nr. 10 në Tiranë. Akuza për të tre, por dhe për punonjësit e Gjendjes Civile të këtyre njësive, është për regjistrim fiktiv të qytetarëve në këto njësi, me qëllim ndikimin në rezultatin zgjedhor të 8 majit. “Kërkohet fillimi i ndjekjes penale ndaj personave të kallëzuar, si dhe personave të tjerë ende të paidentifikuar për kryerjen e veprave penale të ‘shpërdorimit të detyrës’, ‘falsifikimit të dokumenteve dhe rezultateve të zgjedhjeve’ dhe ‘shkeljes së të drejtës së zgjedhësve’, parashikuar nga nenet 248, 326 dhe 331 të Kodit Penal”, thuhet në kallëzimin penal të socialistëve. Sipas sekretarit Ligjor socialist, “drejtuesit e disa njësive bashkiake në Tiranë, të ndihmuar nga punonjës të këtyre njësive si shtetas të tjerë të paidentifikuar nga ana jonë, me veprime e mosveprime të kundërligjshme, kanë bërë të mundur regjistrimin në kundërshtim më ligjin të një numri të konsiderueshëm personash, me qëllim ndikimin në rezultatin e zgjedhjeve lokale të 8 majit 2011. Nga kryqëzimi i listës paraprake më atë përfundimtare të zgjedhësve rezulton një numër prej rreth 3400 personash të shtuar në  listën përfundimtare. Një pjesë e konsiderueshme e këtyre personave janë shtuar në lista mbas datës 08.03.2011, në kundërshtim të hapur më nenin 52 të Kodit Zgjedhor, që parashikon se ndryshimet në listën paraprake nuk mund të bëhen më vonë se 60 ditë para datës së zgjedhjeve, përveç rasteve përjashtimore të parashikuara nga neni 53 dhe sipas një procedure të caktuar”, shprehet sekretari socialist. Për Partinë Socialiste këto falsifikime do të ndikojnë në cilësinë e zgjedhjeve.
Gjendja civile
Kallëzimi penal nga selia rozë është bërë dhe në adresë të Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile. Partia Socialiste ka konstatuar edhe 21 mijë dublime në listat zgjedhore, duke e konsideruar të rreme deklaratën se dublimet janë pastruar. “Krijohen dyshime të arsyeshme, bazuar në prova, se punonjës ende të paidentifikuar nga ana jonë, të Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile, me dashje kanë ndërhyrë në bazën e të dhënave elektronike të Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile, duke ndryshuar të dhënat e përbërësve zgjedhorë, me qëllimin për të ndikuar në mundësinë që disa zgjedhës të votojnë në më tepër se një qendër votimi, apo duke i mohuar këtë të drejtë”, thuhet në kallëzimin e sekretarit socialist. Sipas tij, ndërhyrja e tyre në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile është reflektuar drejtpërsëdrejti në listat e zgjedhësve, të cilat nxirren nga po e njëjta bazë të dhënash elektronike ku personat e mësipërm kanë akses të plotë dhe ekskluziv.

21 MIJE dublime

ekzistojnë ende në listat zgjedhore në të gjithë vendin, sipas Partisë Socialiste, edhe pse është deklaruar nga Drejtoria e Gjendjes Civile se listat janë pastruar

Tahiri: Manipulime me listat

Deputeti socialist, Sajmir Tahiri, akuzoi tre drejtuesit e njësive bashkiake të mandatar nga maxhoranca, se kanë shkelur ligjin dhe kanë bërë manipulime me listat. “Partia Socialiste ka ngritur një grup special pune që deri më sot ka identifikuar emër për emër, banesë më banesë, të gjitha shkeljet e faktuara nga punonjësit e Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile, si dhe çdo person që ka ofruar vullnetarisht emrin e tij dhe të familjes për të manipuluar procesin zgjedhor nëpërmjet dublimeve në lista, mercenarëve elektoralë të paligjshëm dhe falsifikime të tjera që vënë në rrezik serioz zgjedhjet e 8 majit.

 

ARISTIR LUMEZI

© Panorama.al

Te lidhura