Zgjedhjet parlamentare/ Mbërrijnë në Shqipëri fletët e votimit për diasporën! Procedura, si do të bëhet përgatitja e zarfeve, më pas transportimi

Apr 7, 2025 | 9:45

Kur na ndajnë rreth një muaj nga zgjedhjet parlamentare të 11 majit, në Shqipëri kanë mbërritur fletët e votimit për diasporën.

KQZ-vota-e-diaspores-1

Fletët e votimit për votuesit jashtë Shqipërisë janë vendosur në Parkun Olimpik.

Ndërkohë procedurën për përgatitjen e fletëve të votimit e shpjegoi edhe Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi disa ditë më parë.

Ai tha se pas mbërritjes së fletëve të votimit do të fillohet me përgatitjen e zarfeve dhe të gjithë dokumentacionin përkatës.

“Rreth datave 7-8 prill do t’i kemi këtu fletët e votimit për votimin nga jashtë, ndërsa në 8-9-10 do të fillojmë përgatitjen e zarfeve dhe gjithë dokumentacionin për votuesit jashtë vendit duke shpresuar që ky proces të realizohet brenda datës 15 ose 17 prill në afatin maksimal. Më pas, do të ketë kohë e mjaftueshme për t’i sjellë në KQZ deri në orën 19:00 të datës 11 maj”, tha Celibashi më 2 prill.

© Panorama.al

Te lidhura