Pas traumës së grabitjes që përjetoi, Vanda Nara po përballet me një tjetër dramë: pamundësinë për t’u kthyer në shtëpi. Moderatorja dhe sipërmarrësja argjentinase, së bashku me fëmijët e saj, po jeton një situatë të vështirë, e bllokuar në një hotel në pritje të firmës së Mauro Ikardit.

Për t’u rikthyer në Argjentinë, ku Vanda jeton prej rreth tre vitesh me pesë fëmijët e saj, nevojitet autorizimi i ishsulmuesit të Interit, pasi gjatë grabitjes së ndodhur mbrëmjen e së dielës u vodhën edhe pasaportat e fëmijëve.
ÇFARË NDODHI?
Pas tronditjes së grabitjes në vilën e saj në Galliate, gjatë finales së Kupës së Botës, Vanda dhe fëmijët nuk mund të largohen drejt Argjentinës. Sipas raportimeve, mes sendeve të vjedhura ndodheshin edhe pasaportat e katër nga pesë fëmijëve të saj. Vetëm Valentino nuk ndodhej me pjesën tjetër të familjes në momentin e ngjarjes.
Për të udhëtuar drejt Argjentinës kërkohet miratimi i baballërve të fëmijëve. Maksi Lopez thuhet se ka firmosur tashmë dokumentet për Konstantinon dhe Benedikton, ndërsa Mauro Ikardi po refuzon të bëjë të njëjtën gjë për Françeskën dhe Isabelën, dy vajzat që ka me Vandën.

Në pritje të këtij autorizimi, Vanda dhe fëmijët vazhdojnë të qëndrojnë në hotel. Trauma e përjetuar është ende shumë e fortë për t’u rikthyer në shtëpinë e tyre në provincën e Novarës. Fëmijët ishin dëshmitarë të grabitjes dhe, të kapluar nga paniku, u mbyllën në banjë për t’u mbrojtur. Tani dëshira e tyre është të kthehen sa më parë në Argjentinë, por të gjithë së bashku.
Konstantino dhe Benedikto nuk pranojnë të largohen pa motrat e tyre, ndërsa Isabela dhe Françeska thuhet se i janë lutur të atit të nënshkruajë dokumentet e nevojshme për rikthimin në shtëpi. Megjithatë, deri në këtë moment, firma ende mungon, ndërsa çështja mund të shkojë deri në gjykatë.
PANORAMASPORT.AL
© Panorama.al











