Sulm kibernetik në Rumani, hakeri fshin regjistrin e pronave dhe paralizon tregun e pasurive të paluajtshme

Jul 28, 2026 | 17:17

Një sulm kibernetik ka shkaktuar kaos në tregun e pasurive të paluajtshme në Rumani, pasi një haker dyshohet se ka fshirë të dhënat e regjistrit kombëtar të tokës, duke bllokuar përkohësisht shitjet e pronave, procedurat hipotekore dhe aksesin e noterëve në dokumentet e pronësisë.

sulm kibernetik

Sipas mediave rumune, sulmuesi ndërhyri në sistemet e Agjencisë Kombëtare të Kadastrës dhe Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, duke fshirë dokumente administrative, të dhëna të punonjësve dhe një pjesë të informacionit të ruajtur në sistemet digjitale.

Pas sulmit, mijëra noterë mbetën pa akses në aktet e pronësisë, ndërsa transaksionet e pasurive të paluajtshme u pezulluan. Sistemi i prekur përfshin një sektor që regjistron rreth 170 mijë transaksione pronash në vit.

Personi që dyshohet se qëndron pas sulmit përdor pseudonimin online “ByteToBreach” dhe pretendohet se ka publikuar mesazhe në forume të internetit të errët, duke pretenduar se ka marrë edhe të dhëna të tjera sensitive nga institucionet rumune.

Megjithatë, autoritetet nuk kanë konfirmuar ende identitetin e sulmuesit dhe po hetojnë nëse ai është realisht autori i ndërhyrjes kibernetike.

Sipas ekspertëve të sigurisë kibernetike, sulmi ka shfrytëzuar dobësi të njohura në sistemet e regjistrit të tokës. Drejtori i Agjencisë Rumune të Sigurisë Kibernetike, Dan Cîmpean, deklaroi se ndërhyrja nuk ishte një operacion jashtëzakonisht kompleks, por shfrytëzoi mangësi të raportuara më herët në infrastrukturën digjitale.

Firma e sigurisë kibernetike KELA e ka cilësuar “ByteToBreach” si një aktor me aftësi teknike, i cili më herët ka tentuar të komprometojë sisteme të institucioneve në disa vende evropiane.

Sulmi ka ardhur në një periudhë delikate për tregun rumun të banesave, pasi shumë qytetarë po përpiqeshin të përfundonin blerjet e pronave para rritjes së TVSH-së për ndërtesat e reja. Ndërprerja e sistemeve ka sjellë vonesa të mëdha dhe pasiguri për blerësit dhe investitorët.

© Panorama.al

Te lidhura