Autoritetet kosovare janë duke kryer gërmime të martën në një fshat në veri të vendit, pas dyshimeve për një varrezë me mbetje mortore që mund t’u përkasin personave të zhdukur gjatë luftës së viteve 1998-’99 në Kosovë.
Zëdhënësja e Prokurorisë Speciale të Kosovës, Arbnora Luta, tha për Radion Evropa e Lirë se gërmimet po zhvillohen me kërkesë të Prokurorisë dhe urdhër të Gjykatës Themelore në Prishtinë.
“Institucionet relevante janë duke zbatuar urdhrin për zhvarrosje (ekshumim), autopsi dhe identifikim të mbetjeve mortore në një lokacion në Komunën e Zubin Potokut”, tha ajo.
Ajo nuk dha më shumë hollësi rreth rastit, duke thënë se është herët pasi gërmimet janë duke u zhvilluar në këtë kohë, informon REL.
Më vonë, Prokuroria tha në një njoftim se dy burrat e arrestuar po të martën në rajonin e Mitrovicës për krime lufte, me inicialet M.J dhe M.B., dyshohen pikërisht për këtë rast.
“Procesi po zbatohet në përputhje me urdhrin gjyqësor dhe standardet profesionale e ndërkombëtare për identifikimin e mbetjeve mortore dhe ruajtjen e provave, me pjesëmarrjen e institucioneve përgjegjëse dhe ekspertëve përkatës”, thuhet në njoftim.
Kohët e fundit autoritetet kanë kryer vazhdimisht gërmime në lokacione të ndryshme, ku janë gjetur mbetje mortore që dyshohet se u përkasin personave të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Gjatë luftës së viteve 1998-’99 u vranë rreth 13.000 njerëz, ndërsa mbi 1.500 vazhdojnë të jenë të zhdukur. Shumica e të vrarëve ishin civilë shqiptarë.
Kosova dhe Serbia arritën pajtueshmëri në vitin 2023 për Deklaratën e përbashkët për personat e zhdukur, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
Në mesin e zotimeve të bëra ishin: qasja e plotë në informacione të besueshme, mes tyre edhe ato me status të klasifikuar; vënia në dispozicion të të gjitha dokumenteve me rëndësi për përcaktimin e fatit të personave të zhdukur, si dhe punë e përbashkët përmes një komisioni të kryesuar nga Bashkimi Evropian.
Megjithatë, gjithçka vazhdon të mbetet në letër, meqë asnjëra pikë nuk është zbatuar.
Në fillim të këtij viti, Kosova dhe Serbia e mbajtën takimin e parë të Komisionit të Përbashkët për personat e zhdukur gjatë luftës në Kosovë, i cili nuk dha ndonjë rezultat.
© Panorama.al












