KORÇE – Pas arrestimit të Mojsi Çunajt, i cili, nëpërmjet “Shoqërisë mediatike kombëtare komunitete” dhe gazetës “Komunitete”, kanë mashtruar qytetarë të ndryshëm nëpërmjet zyrave rajonale të vendosura në disa rrethe, përmes premtimeve për ushtrim ndikimi të paligjshëm, punësim dhe për ndërmjetësim për lirimin e të dënuarve nga burgu, mbërrijnë denoncimet e para në policinë e Korçës. Policia bëri të ditur se ka filluar procedimi penal me akuzën e mashtrimit ndaj 46-vjeçarit Mojsi Çunaj, nga Tirana. Ai është denoncuar për mashtrim nga një banor i fshatit Kamenicë të rrethit të Korçës, 67-vjeçari me inicialet E. M. Sipas të dhënave të policisë, që i referohet denoncimit të të moshuarit, 46-vjeçari Çunaj i ka marrë një shumë prej 2 milionë lekësh me premtimin se do t’i nxirrte djalin nga burgu. Por, kur ka kaluar një kohë relativisht e gjatë dhe Çunaj jo vetëm nuk e kishte realizuar premtimin e tij, por nuk i ka kthyer as shumën e parave, atëherë i moshuari nga Kamenica i është drejtuar policisë së Korçës për ndihmë. Botuesi i gazetës “Komunitete”, Çunaj, ka pasur një qendër të redaksisë së tij edhe në qytetin e Korçës. Në gazetën “Komunitete” janë botuar vazhdimisht njoftime dhe informacione që kishin të bënin me persona të dënuar. Burime pranë kësaj gazete thanë se botuesi ishte mjaft i interesuar të kontaktonte me të afërm të personave që janë dënuar për vepra të ndryshme penale. Rasti i 67-vjeçarit nga fshati Kamenicë është i pari denoncim për mashtrim që e vë në ndjekje penale shtetasin nga Tirana, Mojsi Çunaj. Prej afro 2 muajsh ai ka mbyllur edhe aktivitetin e tij botues, të paktën në qytetin e Korçës, ndërsa nuk dihet nëse vazhdon të hedhë në qarkullim gazetën “Komunitete”. I arrestuari Mojsi Çunaj ka precedentë të mëparshëm penalë, ku në vitin 2000 është dënuar me 7 vjet burg, pasi edhe në atë vit kishte kryer të njëjtin aktivitet mashtrimi përmes shoqërisë fiktive “Me ty shqiptar kudo emigrant”. g.a











