Antidroga e qytetit të Durrësit sekuestron gjysmë kilogrami kokainë.Operacioni përfundoi mbrëmjen e së mërkurës në qytetin e Vlorës, ndërsa po ndiqej nga agjentët një i ri durrsak, i akuzuar për shpërndarjen e drogës së shtrenjtë. Bashkë me të u ndaluan në flagrancë dhe dy të rinj vlonjatë, në makinën e të cilëve u zbulua sasia e lëndës narkotike. Droga, e dyshuar si kokainë e pastër, e cila në treg kap vlerën e 25 mijë eurove, ishte e destinuar për tregun e brendshëm. Operacioni është zhvilluar në qytetin e Vlorës, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative, ku agjentët e Antidrogës së qytetit bregdetar të Durrësit dhe shërbimet policore të Vlorës organizuan operacionin për kapjen e shpërndarësve të lëndës narkotike. Në pranga përfunduan: Edison Sulejmani, 26 vjeç, nga Durrësi, Enea Sulaj, 21 vjeç, si dhe Ervin Bardhaj 42 vjeç, nga Vlora. Tre të arrestuarit u ndaluan në qendër të qytetit bregdetar të Vlorës, gjatë kohës kur po udhëtonin me automjetin me targa të Vlorës 88 93 B. Gjatë kontrollit të ushtruar nga policia në automjet u gjet sasia e lëndës narkotike, e llojit kokainë. Lënda narkotike ishte e fshehur në kruskotin e automjetit me të cilin po udhëtonin tre të arrestuarit. Gjatë një konference për shtyp, zëdhënësja e Policisë së qarkut Durrës, Ornela Cako, ka bërë me dije se hetimet në lidhje me trafikun e drogës kanë nisur kohë më parë, ndërsa ka zbardhur dhe informacionin mbi arrestimin e tre të arrestuarve, i cili është kryer në orën 20:00 të së mërkurës, në qytetin e Vlorës. Policia sqaron se kohë më parë, agjentët e Antidrogës së Durrësit, në rrugë operative siguruan informacione për një rrjet tregtie kokaine në qytetin e Vlorës, duke disponuar dhe emrat e shpërndarësve të dyshuar. Menjëherë Antidroga nisi hetimet për të kryer kapjen në flagrancë të trafikantëve. Kështu, pas disa ditësh hetime intensive, policia ndërmori një ditë më parë operacion për kapjen e shpërndarësve të drogës. Nga hetimet e para policia bëri me dije se droga e dyshuar e llojit kokainë sigurohej jashtë shtetit, ndërsa shpërndarja realizohej nga tre të arrestuarit. Aktualisht, specialistët e seksionit të Luftës Kundër Drogës, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës e Vlorë, po punojnë për zbardhjen e plotë të këtij rrjeti trafiku, apo hetimin e personave të tjerë të përfshirë, si dhe të aseteve të përfituara nga kjo veprimtari kriminale. Ndërsa materialet hetimore të përpiluara në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë së Durrësit, për veprën penale të “prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike”. Tre të arrestuarit akuzohen për trafik të lëndëve narkotike dhe për këtë akuzë do të përballen me drejtësinë.
LEONIDHA MUSAJ











