Zbardhet raporti për incidentet në Peqin

Apr 19, 2011 | 10:57

Komisioni i Disiplinës do të mblidhet sot për të shqyrtuar disa nga çështjet e javës së kaluar, ku një ndër to është edhe ndeshja Shkumbini-Flamurtari, në të cilën nuk munguan incidentet.Burime të sigurta pranë Komisionit të Disiplinës kanë bërë për të ditur për “Panorama Sport” se delegati i ndeshjes dhe arbitri kryesor, Lorenc Jemini, i kanë pasqyruar të gjitha në raportin që i kanë paraqitur federatës. Në ndeshjen Shkumbini-Flamurtari 2-1 javën e kaluar, përveçse asistenti u godit me sende të forta në kokë, ka pasur një incident edhe me arbitrin kryesor, Lorenc Jemini. Këtij të fundit i është bërë presion dhe është goditur nga disa persona, sapo ka tentuar të hyjë në stadium ku duhej të arbitronte. Jemini është tërhequr dhe është rikthyer në automjetin e FSHF-së, duke mos pranuar që të gjykonte ndeshjen. Kjo më pas do të sillte pasoja tepër të rënda për klubin peqinas dhe pas disa negociatave edhe me zyrtarë të FSHF-së, Jemini ka pranuar të hyjë në fushë dhe ka gjykuar. Komisioni i Disiplinës mund të marrë masa edhe duke iu referuar pamjeve filmike, por nuk mund të dënojë një subjekt apo një person për trazira apo për dhunë, në rastet kur nuk ka as pamje filmike dhe asnjë shkresë zyrtare apo një relacion. Klubi i Shkumbinit mund t’ia hidhte vetëm me një gjobë ose me ndonjë ndeshje në fushë asnjanëse për ngjarjen që ndodhi në fushë, ku u godit anësori, por burime pranë federatës bëjnë të ditur se arbitri dhe delegati i ndeshjes kanë pasqyruar raportin e tyre mbi gjithçka ka ndodhur edhe përpara ndeshjes, ku iu është bërë presion arbitrave, madje edhe janë qëlluar. Në këtë pikë, situata rëndohet tej mase për skuadrën peqinase, sepse sipas rregullores së veprimtarisë sportive, kjo është e ndëshkueshme deri në humbjen në tavolinë. Drejtuesit e klubit kanë bërë të ditur se janë përpjekur maksimalisht që të evitonin çdo incident, madje sipas tyre nuk ka pasur trazira apo episode për të cilat ankohen vlonjatët. Deputeti i Peqinit, Dashnor Sula, njëherazi edhe zv/president i skuadrës, ka thënë se tifozët e Shkumbinit janë të dashuruar me sportin dhe se nuk ka pasur asnjë incident. Të vetmit persona të armatosur që kanë qenë në stadium kanë qenë policat, që nuk kanë bërë gjë tjetër veçse kanë ruajtur rregullin dhe qetësinë.

Ankesat e vlonjateve

Menjëherë pas ndeshjes, shefi i klubit të Flamurtarit, Geri Çipi, kërkoi pikët në tavolinë për shkak se, sipas tij, gjyqtarëve u ishte bërë presion i hapur para ndeshjes. Nga ana tjetër, presidenti i klubit të Flamurtarit, Shpëtim Gjika, ka deklaruar se në Peqin arbitrave u është bërë presion dhe se në dhomat e zhveshjes kanë hyrë persona të armatosur. Gjika ka thënë se federata duhet të tregojë se nuk mund të mbyllë sytë para këtyre fenomeneve dhe se duhet të vendosë drejtësi.

© Panorama.al

Te lidhura