Vrau presidentin e vendit, Bangladeshi arreston pas 45 vitesh ushtarin autor!

Jul 16, 2026 | 17:36

Policia e Bangladeshit tha se kishte arrestuar një oficer ushtarak në pension, i cili ishte kërkuar prej 45 vitesh për rolin e tij në vrasjen e ish-Presidentit Ziaur Rahman, babait të kryeministrit aktual Tariq Rahman.

presidenti i bangladeshit

Ziaur Rahman, një hero i luftës së pavarësisë së Bangladeshit në vitin 1971 dhe shef i forcave të armatosura të vendit, u zgjodh president në vitin 1977.

Ai u vra katër vjet më vonë, gjatë një grushti shteti të dështuar, ndërsa ishte në një vizitë zyrtare në qytetin e Chittagong.

Një gjykatë ushtarake në Daka gjykoi 18 ushtarë për vrasjen dhe 13 prej tyre u dënuan me vdekje dhe u varën.

Megjithatë, policia kishte vite që kërkonte majorin Mohammad Mozafar Hossain, i cili dyshohej për përfshirje në komplotin kundër Rahmanit.

“Mohammad Mozafar Hossain ishte i arratisur që nga viti 1981 dhe ne e arrestuam sot”, konfirmoi kreu i policisë gjyqësore, Mohammad Shafiqul Islam.

“Ai u largua nga Bangladeshi menjëherë pas grushtit të shtetit dhe që atëherë jeton jashtë vendit”, shtoi ai, duke shtuar se ish-oficeri ushtarak u arrestua menjëherë pas mbërritjes së tij në aeroportin e Dakës.

“Gjatë marrjes në pyetje, ai na shpjegoi rolin e tij në vrasje”, tha gjithashtu Shafiqul Islam, pa dhënë detaje të mëtejshme në këtë fazë.

© Panorama.al

Te lidhura