Vrau pastiçerin, autori: Doja të më kërkonte falje

Apr 10, 2011 | 8:46
Viktima Petrit Mehmetaj

I penduar, duke u justifikuar se e ka kryer krimin nën efektin e pijes dhe stresit, Alfred Feta mbrojti dje në Gjykatën e Vlorës akuzën për vrasjen e pastiçerit Petrit Mehmetaj.Ngjarja e ndodhur mbrëmjen e 5 prillit u rrëfye dhe njëherë nga autori i krimit. Ai ka pohuar se pas vdekjes së të bijës nga helmimi kërkonte që pronari i pastiçerisë t’i kërkonte falje, por nuk ka pasur qëllim vrasjen e tij.  Feta ishte i pranishëm në Gjykatën e Vlorës, ku u njoh me masën e sigurisë, atë të arrestit me burg. Në sallën e gjyqit ishin të pranishëm vetëm pak familjarë të 42-vjeçarit. Para trupit gjykues Feta ka deklaruar se që në momentin kur i vdiq vajza nga helmimi prej çokollatave dhe pastës që ka blerë në pastiçerinë e Mehmetit, nuk ka qenë normal, por ka pasur shumë çrregullime nervore. “Pas disa ditësh nga vdekja e vajzës dhe deri në ditën e ngjarjes kam shkuar disa herë te lokali i Mehmetajt, të cilit i kisha kërkuar të pranonte se vajza më vdiq si pasojë e helmimit nga përdorimi i çokollatave që bleu në ëmbëltoren e tij, por Mehmetaj nuk e pranonte. Ditën e ngjarjes, në gjendje depresioni dhe i alkoolizuar, kam shkuar përsëri tek ëmbëltorja dhe, si herë të tjera, i kërkova pronarit të pranonte se vajza më ishte helmuar nga çokollatat, për të qetësuar veten time. Por ai, jo vetëm që vazhdoi të mos e pranonte, por më fyeu”, tregoi Feta. Ai pranoi dje që është përplasur fizikisht me Mehmetajn, por nuk kujton më se ç’ka ndodhur më tej. “Nuk mbaj mend çfarë kam bërë më pas, por, për një gjë jam i sigurt, se nuk kam shkuar për ta vrarë. As që më kishte shkuar ndër mend ndonjëherë. Gjithçka ka ndodhur në nervozizëm e sipër dhe në gjendje të dehur e stresi. Sigurisht që jam bërë pishman për gjithçka që ka ndodhur”, i është përgjigjur pyetjes në sallën e gjyqit autori, nëse ishte penduar për krimin. Prokuroria i ka kërkuar trupit gjykues marrjen e masës së sigurisë burg pa afat ndaj Fetës, me akuzën “vrasje me paramendim”. Kjo kërkesë u mor parasysh nga trupi gjykues, duke e lënë autorin e vrasjes së Mehmetajt në burg pa afat deri në përfundim të hetimeve. Petrit Mehmetaj u qëllua me thikën e dyqanit të tij, në lagjen “24 maji”, pas debatit më Fetën. Ai ndërroi jetë disa orë më vonë në spital. Familja e vajzës 6-vjeçare pretendon se helmimi që solli vdekjen e së miturës erdhi nga ëmbëlsirat e blera në dyqanin e Mehmetajt, ndërsa të afërmit e viktimës së fundit thonë se çokollatat e shitura ishin brenda skadencës, të prodhuara nga një tjetër firmë.

 

VLORE/ QEMAL BIRAKU

© Panorama.al

Te lidhura