Vrau një efektiv dhe plagosi një tjetër, gjykata lë në burg autorin Violand Braçellari

Jun 7, 2026 | 13:49

Gjykata ka lënë në burg, Violand Braçellarin 43-vjeçarin, i cili akuzohet se vrau efektivin e policisë, Enea Mekolli dhe plagosi policin tjetër, Edison Adrin gjatë një operacioni në Lozhan të Korçës. Vendimi iu komunikua në ambientet e Spitalit të Traumës, ku ai ndodhet qe prej ditës kur ndodhir ngjarja. 

violand bracellari OK

Gjatë seancës për caktimit e masës së sigurisë, mësohet se Braçellari ka folur vetëm për dënimin e dhënë nga gjykata e Korçës në vitin 2017, dënim i lidhur me kultivimin e lëndëve narkotike dhe që ishte vendosur për 10 vite.

Ai është justifikuar që nuk ka kultivuar kanabis. Nga ana tjetër, mësohet se nuk ka deklaruar asgjë për vrasjen e policit Enea Mekolli dhe plagosjen e policit Edison Adri.

VENDIMI

1. Vleftesimin e ligjshëm të arrestit në flagrancë të personit nën hetim V.B, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Vrasje e punonjësve të policisë së shtetit”, “Vrasje e punonjësve të policisë së shtetit” ngelur në tentativë, “Mbajtje pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” në formën e mbajtjes së armëve të zjarrit në ambiente publike dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive” në formën e mbajtjes së armës së gjuetisë dhe municionit, parashikuar prej neneve 79/b, 79b-22, 278/1 dhe 280 të Kodit Penal.

2. Caktimin ndaj personit nën hetim V.B, të masës së sigurimit personal “Arrest në burg” të parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale.

3. Për ekzekutimin e këtij vendimi ngarkohet Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë.

4. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, brenda 5 (pesë) ditëve, duke filluar ky afat nga dita e nesërme e komunikimit të vendimit të arsyetuar të gjykatës.

U shpall nga Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë në ambientet e Spitalit Universitar të Traumës Tiranë, sot më datë 07.06.2026.

Ngjarja

Krimi i rëndë ndodhi mëngjesin e 4 qershorit, kur shërbimet e Policisë kanë rrethuar stanin ku dyshohej se fshihej personi në kërkim,  Violand Braçellari, 43 vjeç, i dënuar në vitin 2017 me 9 vjet, 11 muaj e 7 ditë burgim nga Gjykata e Korçës, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, ndërsa në vitin 2011 ndaj tij është caktuar masa e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.

Shërbimet e Policisë i kanë bërë thirrje të kërkuarit të dilte dhe të dorëzohej, por ai nuk i është bindur thirrjes së Policisë dhe ka hapur zjarr në drejtim të punonjësve të Policisë, ku për pasojë ka humbur jetën punonjësi i Policisë, inspektor Enea Mekolli 34 vjeç, dhe ka mbetur i plagosur punonjësi i Policisë, inspektor Edison Adri 36 vjeç (të dy punonjës të Forcës së Posaçme “Shqiponja” të DVP Korçë).

Për të neutralizuar sulmin e të kërkuarit, shërbimet e Policisë i janë kundërpërgjigjur me armë zjarri dhe, si pasojë e shkëmbimit të zjarrit, ka mbetur i plagosur edhe i kërkuari, shtetasi Violand Braçellari, i cili më pas është arrestuar.

© Panorama.al

Te lidhura