
Izolohet në ambientet e psikiatrisë në spitalin e burgut në Tiranë, i riu që masakroi me dërrasë një fëmijë 9 vjeç.Gjykata e Beratit vendosi dje si masë sigurie izolimin e 26-vjeçarit, Hysen Sulka, për shkak se ai është cilësuar nga ekspertët psikiatër si i paaftë mendërisht. Vendimi i Gjykatës u mor pas kërkesës së bërë edhe nga Prokuroria e Rrethit, e cila e ka konsideruar të riun si një person që paraqet rrezikshmëri, në rast se lihet i lirë. Burime nga Prokuroria bënë të ditur se nga hetimi i kryer, ka rezultuar se Hysen Sulka kishte dalë para komisionit të KEMP-it për shkak të gjendjes mendore në të cilën ndodhej. Ekspertët kishin vërejtur se ai vuante nga sëmundja mendore. Për shkak të paaftësisë mendore, 26-vjeçari kishte marrë edhe pension prej disa vitesh. Prokuroria ka konfirmuar edhe shtrimin në Spitalin e Vlorës në vitin 2006, të autorit, i cili kreu krimin që tronditi mbarë opinionin. Pasi janë shqyrtuar këto materiale, Gjykata vendosi masën e sigurisë së izolimit. Ndërsa masa e arrestit do të merret në një vendim të dytë, pasi të hetohet gjendja mendore e të ndaluarit si dhe pasi fjalën e fundit ta thonë ekspertët e Spitalit Psikiatrik të Tiranës. Ndonëse Sulka kishte një kartelë mjekësore në psikiatrinë e Vlorës, ai ishte lënë në harresë nga organet shëndetësore dhe ato policore. Ai endej i lirë në fshatin e tij me gjithë rrezikshmërinë shoqërore që paraqiste, derisa kreu edhe krimin e rëndë. I riu u fut në mes të një grupi me fëmijë dhe sulmoi atë që nuk njihte. 9-vjeçari, Ervin Ndreka, nga fshati Luar i Fierit, kishte shkuar tek gjyshërit e tij kur u sulmua. Ai kishte dalë për të luajtur me fëmijët e dajës së tij, dhe bashkëmoshatarë të tjerë të lagjes, kur 26-vjeçari është futur në mes të tyre dhe, pasi ka pyetur vogëlushin se nga vinte, e ka goditur atë me sa fuqi kishte me një dërrasë në kokë dhe në trup. Fëmija nuk arriti t’i rezistojë plagëve dhe ndërroi jetë në Spitalin e Fierit. Ngjarja e rëndë shkaktoi reagim të ashpër në fshatin Dronofosë të komunës Cunalat të Beratit, ku banorët kërkuan izolimin e tij, për shkak të rrezikshmërisë që paraqiste. Njëherazi, ngjarja tronditi familjen dhe banorët e fshatit Luar. Ata akuzuan shtetin si përgjegjës, pasi kishte lënë të lirë një person me rrezikshmëri kaq të lartë. Policia e Beratit ka bërë apel disa herë për izolimin e personave të sëmurë mendorë, për shkak të precedentëve të rëndë që janë shënuar në këtë qark. Blutë kanë identifikuar 25 persona me kartelë, të cilët do të mbahen në mbikëqyrje me qëllim për të evituar ngjarje të tjera. Por, sipas Policisë, kjo nuk është zgjidhje, pasi ata nuk mund të mbahen në mbikëqyrjen e tyre 24 orë. Brenda harkut kohor prej 8 vitesh, nga personat me të meta mendore kanë gjetur vdekjen 5 vetë, ndërsa 10 të tjerë janë plagosur. Ata i kanë kryer të gjitha krimet me mjete të forta, si sëpatë, dërrasë, kosë etj.
BERAT/ DILAVER XHELILI











