
Arjan Selimi, 38-vjeçari i ekzekutuar nga persona ende të paidentifikuar nga Policia mbrëmjen e 26 shtatorit, mbylli dje ligjërisht hesapet me Drejtësinë shqiptare. Trupa gjykuese, që po rigjykonte dosjen ku ai ishte i pandehur tek Krimet e Rënda, pushoi dje çështjen penale që ishte ende e hapur ndaj tij. Burime pranë Gjykatës konfirmuan se në seancën e djeshme përfaqësuesi i prokurorisë në proces paraqiti provat shkresore, me anë të të cilave konfirmonte faktin e vdekjes së të pandehurit Arjan Selimi (Armand Andoni). Ndërkohë, gjykimi do të vijojë me të pandehurin Arjan Xhemali (Shabani), i bashkëpandehur me të ndjerin Selimi në të njëjtën çështje gjyqësore. Paraqitja e provave për të faktuar vdekjen e Selimit, u pretendua nga prokurori që në seancën gjyqësore para asaj të djeshmes, e cila u zhvillua të nesërmen e vrasjes së Selimit. Në atë seancë, prokurori pohoi para palëve se i pandehuri Selimi kishte ndërruar jetë, por për shkak të afërsisë në kohë të ngjarjes dhe të seancës organi i akuzës nuk i zotëronte provat shkresore, certifikatë vdekjeje dhe autopsi për ta provuar ligjërisht vdekjen e tij. Arjan Selimi po rigjykohej tek Krimet e Rënda për akuzën e “trafikimit të narkotikëve”. Ai dhe i bashkëpandehuri i tij Xhemali po rigjykoheshin për këtë akuzë në zbatim të vendimit të majit 2010, vendim që prishi dy vendime gjyqësore që e kishin deklaruar fajtor Selimin. Kështu, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë prishi dënimin me 16 vjet burg, dhënë në Shkallën e Parë të Krimeve të Rënda, si edhe dënimin me 14 vjet burg dhënë nga Apeli i Krimeve, teksa Selimi gjykohej si një nga pjesëtarët e dosjes “Kompas”. Referuar vendimit të Gjykatës së Lartë, shkak i dërgimit të dosjes për rigjykim ishin një sërë shkeljesh procedurale, të vërejtura në gjykimin e tij në Shkallën e Parë dhe në Apelin e Krimeve të Rënda. Ndër të tjera, një nga shkeljet ka qenë edhe vlerësimi si provë nga Krimet e Rënda të deklarimeve të dëshmitares Inis Gjoni. Arjan Selimi është akuzuar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda si pjesë e një organizate kriminale, që ka trafikuar nga viti 2000 deri në vitin 2004 sasi droge nga Shqipëria në drejtim të Italisë. Lënda narkotike është bllokuar në vazhdimësi nga Policia italiane, e cila ka krijuar një dosje voluminoze, që në janar 2004 u përcoll në Shqipëri dhe u hetua nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Kjo e fundit më 23 qershor 2004 arrestoi Arjan Selimin dhe të dyshuarit tjerë si pjesë e bandës.
Akuza pas vdekjes
Sipas Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Shqipërisë, prokuroria apo gjykata duhet të pushojnë akuzën, hetimin apo gjykimin, në rast se provohet se i pandehuri ka vdekur. Sipas Kodit të procedurës, de fakto ndjekja penale nuk është më efektive dhe e mundur me vdekjen e personit, ndaj organet gjyqësore duhet të pushojnë menjëherë akuzën sapo konfirmojnë vdekjen e personit.
ARMAND BAJRAMI











