Vranë shokun student, njëri mohon krimin: Isha në shtëpi

Feb 6, 2013 | 15:34
Erald Elmazi, duke dalë nga Gjykata e Fierit

Gjykata e Fierit la dje në “arrest me burg” të arrestuarit e dy ditëve më parë si të dyshuar për vrasjen e studentit të Drejtësisë, Andi Prifti. Andrea Rrapaj, 18 vjeç dhe Erald Elmazi, 25 vjeç, u paraqitën dje rreth orës 14:00 para togave të zeza, ku iu komunikua masa e mësipërme. Fillimisht është shoqëruar në sallë Andrea Rrapaj, ndërsa akuza që përfaqësohej nga prokurori Genci Sino paraqiti provat e siguruara. Një prej provave të paraqitura ishte celulari “NOKIA”, i viktimës, që ka qenë edhe prova kyçe që çoi në zbardhjen e krimit dhe arrestimin e dy të rinjve. Në celularin e 21-vjeçarit është vendosur një kartë SIM, e cila pas verifikimit nëpërmjet kompanisë celulare rezultoi se i përkiste Andrea RRapaj. Verifikimi është kryer me metoda të teknologjisë edhe falë telefonit prodhim i ri, që e mundësonte një gjë të tillë. Pasi e ka përdorur për disa ditë telefonin e shokut të vrarë, 18-vjeçari e ka këmbyer atë me një tjetër aparat në një pikë shitjeje. Por Prokuroria arriti të binte në gjurmët e telefonit dhe ta gjente atë duke e paraqitur si provë në Gjykatë. I gjendur para fakteve të tilla, Rrapaj pranoi bashkëpunimin në vjedhje me pasojë vdekjen e Andi Priftit, por ai implikoi si autor të drejtpërdrejtë shokun e tij, Erald Elmazi. Sipas dëshmisë së tij që u paraqit dje në Gjykatë nga Prokuroria, ai e kishte ftuar Andin që të shkonin në Seman për qitje me armë. Viktima e kishte lënë motorin e tij në lagjen “Kastrioti”, ndërsa janë nisur me një automjet që drejtohej nga Erald Elmazi. Kur kanë mbërritur në vendin e quajtur “Kulla e Ujit”,

Viktima Andi Prifti

Elmazi i ka kërkuar 21-vjeçarit që të hapë bagazhin e mjetit. Në këtë moment, ai e ka qëlluar disa herë më thikë. Ndonëse viktima ka tentuar të shpëtojë dhe të largohet, i riu e ka qëlluar edhe në ecje shokun e tij duke e lënë të vdekur. Pasi i ka marrë telefonin dhe portofolin me paratë që kishte fituar në lojëra fati (60 mijë lekë), ai është kthyer në Fier. Tek motori i viktimës, Elmazi i ka dhënë 18-vjeçarit 30 mijë lekë dhe telefonin e viktimës. Të nesërmen, Rrapaj ka shlyer një borxh prej 20 mijë lekësh te pronari i një diskoje. Në fund, gjykata la në burg 18-vjeçarin. Pas tij u paraqit Erald Elmazi. Ai nuk pranoi dje në Gjykatë autorësinë, duke pohuar se gjatë të gjithë ditës ka qenë në punë në berberhanen e tij. Por bazuar në provat e paraqitura, gjykata e la edhe atë në burg. Ende nuk konfirmohet si do të veprohet me të arrestuarin tjetër, Gentian Shahinaj, për të cilin ka të dhëna se ka ndihmuar në zhdukjen e motorit të viktimës. Burime nga prokuroria nuk e mohuan faktin se ndaj tij mund të kërkohet ndryshimi i akuzës dhe një masë tjetër sigurie. Dëshmia e dhënë nga Rrapaj ka sjellë reagim të ashpër të prindërve të të arrestuarit tjetër. Teksa ai shoqërohej në korridor për të dalë nga Gjykata, nëna e Erald Elmazit e ka akuzuar atë për dëshmi të rremë, pasi djali i saj është i pafajshëm. Ndërsa i shoqi, Bilal Elmazi, u shpreh pas vendimit të gjykatës se i biri nuk ka gisht në këtë vrasje. “Eraldi nuk ka gisht në këtë krim. Gjithë atë ditë kur ka ndodhur vrasja, djali ka qenë në berberhane. Ka ardhur në shtëpi në orën 20:00 dhe nuk ka dalë më. Unë e di çfarë djali kam. Ai nuk e ka kryer këtë krim. Le të dënohet nëse ka vrarë njeri, por unë e di se ai nuk e ka bërë një gjë të tillë”, u shpreh babai i të arrestuarit.

FIER/ MAJLINDA RAMA

© Panorama.al

Te lidhura