Revolta qytetare në rrugët e Tiranës po merr një dimension të ri gjatë marshimit që po vijon në akset kryesore të kryeqytetit.
Pasi lanë pas institucionet shtetërore me thirrje për arrestime dhe dorëheqje, turma e madhe e protestuesve ka marrë mbështetjen e drejtuesve të mjeteve.
Shumë makina që janë bllokuar në trafik apo që kalojnë pranë marshimit janë solidarizuar me kauzën duke rënë borive në shenjë mbështetjeje.
Kjo zhurmë borish është shoqëruar me brohoritje nga protestuesit, të cilët kanë nisur t’u bëjnë thirrje qytetarëve të tjerë që po ndjekin protestën nga lokalet e shumta përgjatë rrugëve.
Në kor, protestuesit po kërkojnë reagimin e pjesës tjetër të shoqërisë, duke u bërë thirrje të lënë kafenetë dhe t’u bashkohen në rrugë:
“Bashkohuni me ne! Çohuni nga kafja!”.
Mijëra qytetarë e lanë bulevardin rreth orës 22:00 dhe nisën marshimin pas protestës paqësore mbrëmjen e sotme, duke vijuar t’i bënin thirrje qytetarëve të tjerë nëpër kafene e rrugë që të bashkoheshin, me thirrjet “Rama në burg, Berisha në burg”.
Ndërsa apelonin ndaj të rinjve dhe qytetarëve që të bashkoheshin, ata e shoqëronin në ovacione çdo afrim duke brohoritur “na u bashkuan”.
Më tej nuk munguan edhe thirrjet “Ju erdhi fundit”, “Ju erdhi fundi” apo “O Erjon, o legen, prite Edin se po vjen”.
Pasi u përmbyll në bulevard, protesta dhe marshimi qytetar paqësor vijoi drejt Sheshit Skënderbej.
Mesazhi i fundit ishte që të ngriheshin njerëzit nga kafja dhe që nesër të mblidheshin më shumë.
“Tani mesazhi “çohuni nga kafja”!. Nesër të mblidhemi më shumë. Marshim në bulevard, te sheshi takohemi dhe më pas shpërndahemi nëpër shtëpia. Mos u provokoni, mos bllokoni rrugët, shpërndahuni qetësisht dhe mblidhemi sërish te sheshi nesër”, ishte mesazhi i aktivistëve organizatorë.
Nga Kryeministria me thirrjet “Rama ik!”, “Revolucion” dhe “Poshtë diktatura!”, turma e madhe e protestuesve është ndalur përpara Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.
Në këtë pikë të marshimit, revolta është përqendruar e gjitha ndaj ish-drejtueses së këtij dikasteri, njëherësh ish-zëvendëskryeministre, të pandehurës nga SPAK dhe me masë sigurie nga GJKKO, belinda Balluku.
Protestuesit kanë shpërthyer njëzëri në kor me thirrje të forta, duke kërkuar arrestimin e saj lidhur me dosjet e nxehta të korrupsionit dhe hetimet e fundit.
“Arrestoni Ballukun”, ishin disa nga thirrjet e qytetarëve.
Thirrjet për vënien para përgjegjësisë ligjore të ish-numrit dy të qeverisë, e cila është vënë në shënjestër të akuzave dhe hetimeve nga SPAK për abuzimet me projektet e infrastrukturës dhe aferat milionëshe, kanë ushtuar përpara ministrisë.
Në ditët e kaluara të kësaj proteste, qytetarët kanë zgjedhur të vijojnë tubimin duke lëvizur në formë marshimi, duke paralizuar përkohësisht qarkullimin në disa prej akseve kyçe të Tiranës.
Me dritat e telefonave ende të ndezura dhe nën tingujt e këngës “Dua më shumë Shqipërinë”, turma po marshon në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
© Panorama.al











