Abdul Ballout, burri i kërkuar për sulmin në Berlin Pride ku u vra një person dhe u plagosën disa të tjerë, u vra gjatë një operacioni të policisë gjermane.
Sipas policisë, 21-vjeçari me shtetësi libaneze u lokalizua të dielën në një kompleks në zonën e Spandaut, në perëndim të Berlinit. Gjatë ndërhyrjes, ai dyshohet se u vërsul drejt efektivëve me një thikë, duke detyruar forcat speciale (SEK) të hapnin zjarr. I riu humbi jetën në vendngjarje.
Autoritetet gjermane e identifikuan Ballout si mbështetës të organizatës terroriste ISIS. Ai ishte dënuar më parë për përpjekje për t’iu bashkuar grupit xhihadist në Siri dhe njihej për shkak të radikalizimit dhe lidhjeve me qarqet islamiste.
Hetimet vijojnë për të zbuluar nëse ai kishte bashkëpunëtorë. Gjatë natës, policia arrestoi edhe një shtetas iranian, i cili po hetohet për një rol të mundshëm në sulm. Autoritetet po verifikojnë gjithashtu nëse në furgonin që u përplas me turmën ndodheshin persona të tjerë.
Bilanci i sulmit me furgonin që u përplas me turmën që ndiqte eventin e Berlin Pride është një grua e vrarë dhe 29 të plagosur.
© Panorama.al












