Nga Kim Mehmeti
Po pra, mos thoni se nuk ua ka treguar: Piktori e tha publikisht se në protesta mund të dalin të gjithë shqiptarët, por për të popull janë vetëm votuesit e tij. Pra, ai nuk e fsheh se për të Shqipëria nuk është e shqiptarëve, por e votuesve të tij, e partisë së tij dhe pronë e tij.
Tani shtrohet pyetja: si t’ia tregoni se atë e kanë zgjedhur votuesit e tij, por ai e përcakton fatin e të gjithë shqiptarëve dhe hajdutët e tij e zhvatin të gjithë popullin?
Këtë mund t’ia dëshmoni vetëm nëse i vërshoni bulevardet e Shqipërisë, vetëm nëse ia mbyllni të gjitha rrugët, që Piktori të mos ketë nga të ikë derisa të kuptojë se Shqipëria është e shqiptarëve e jo vetëm e votuesve dhe hajdutëve të tij.
Andaj bëhuni gjithnjë e më shumë, protestoni dhe mos u dorëzoni. Mos e lini Shqipërinë në duart e atyre që për tri dekada me radhë e plaçkitën dhe e kriminalizuan atë.
Dhe mos lejoni që të vërtetën për mëmëdheun tonë ta tregojnë mediat që i sponsorizon krimi, ku debatuesit dhe elitat e të gjitha ngjyrave u jargaviten pushtetarëve dhe oligarkëve.
Protestoni dhe mos iu nënshtroni atyre që duan t’ju njollosin, sepse nëse ju qenkeni zëri i interesave të huaja, atëherë mos vallë zëri i shqiptarisë na qenka ai i atyre që bërtasin nëpër studiot televizive vetëm që të mos dëgjohen klithmat e popullit, apo ai i burrështetasve tanë që nuk guxojnë kolegëve të vet grekë e serbë t’ua përmendin Çamërinë dhe Luginën e Preshevës?
Zëri juaj është ajo klithmë e munguar shqiptare. Zëri juaj ia kthen dinjitetin shqiptarisë, sepse ai ngërthen në vetvete thirrjen e shqiptarëve kudo që janë.
Dhe mos harroni: Shqipëria më shumë ju takon juve sesa neve, që nuk arritëm ta mbronim atë nga hajdutët dhe zhvatësit. Siç nuk duhet të harroni se shqiptaria kurrë nuk ka pasur kaq shumë maskarenj që duan këtij populli t’ia ngatërrojnë heronjtë me tradhtarët.
Andaj, ju keni të drejtë të na gjykoni neve, që jua harxhuam të ardhmen, ndërsa ne nuk kemi të drejtë t’ju gjykojmë juve që shqiptarisë po ia ktheni krenarinë dhe dinjitetin.
© Panorama.al












