Vonesat me faturimet, CEZ: Tani kontroll edhe online

Apr 20, 2011 | 10:52

CEZ ka promovuar dje shërbimin e saj më të fundit, të sjellë si një risi për konsumatorin shqiptar nën emrin “E-bill”.Ky shërbim u mundëson të gjithë konsumatorëve që të mund ta shohin faturën e tyre në internet dhe të mund ta printojnë për ta paguar në kohë atë, duke mos u varur kështu nga faturat e sjella me postë, proces ky që shpesh ka hasur pengesa për një seri arsyesh. Kjo risi është konsideruar nga drejtori i Shitjeve pranë CEZ-it si një zgjidhje për problemet që ekzistojnë për shkak të mungesës së adresave të sakta. “Për shkak të problemeve në infrastrukturë që ka Shqipëria, si mungesa e një sistemi të saktë adresash dhe kutive postare, na është dashur të gjejmë alternativa të tjera për klientët tanë”, tha Ales Konrad. Po si mund të përdoret shërbimi E-bill? Klienti mund të hyjë në faqen zyrtare të CEZ Shpërndarje www.cez.al dhe më pas të regjistrohet duke dhënë disa elemente identifikuese. Sistemi gjeneron një emër përdoruesi dhe një fjalëkalim, të cilat janë unike për çdo klient. Elementet identifikuese janë numri i kontratës dhe emri i agjencisë. Pas regjistrimit, klienti ka mundësinë të shohë online konsumin e vet mujor, të printojë një kopje dhe ta paguajë atë në kohë para se kompanitë e shpërndarjes ta sjellin atë në adresën e tij.  Një tjetër pikë e diskutuar gjatë daljes publike të drejtorit të Shitjeve të CEZ-it dje ishte edhe ajo e borxhit që i është mbledhur kompanisë nga mosarkëtimet. Sipas të dhënave, nga janari 2007 e deri më sot, debitorët i detyrohen CEZ-it 320 milionë dollarë, nga të cilët 50 milionë janë borxh që e kanë institucionet publike buxhetore dhe jobuxhetore. Parë në këtë këndvështrim, duket se përgjegjshmëria për të paguar energjinë ka pësuar degradim total, dhe kjo vihet re nga niveli i lartë i borxhit.  Pak kohë më parë qeveria fali borxhin e faturave të papaguara në vitet 1992-2006 dhe ky borxh ishte 380 milionë dollarë dhe aktualisht, në më shumë se tre vjet, borxhi ka arritur pothuajse njëlloj sa ai që fali qeveria për 14 vjet.

 

NERTILA MAHO

© Panorama.al

Te lidhura