Volfarth: Edi Rama, më i rrezikuar se Berisha nga zgjedhjet e 8 majit

Apr 22, 2011 | 10:10

Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, i ftuar në emisionin “Opinion” tha se nga zgjedhjet e 8 majit më i rrezikuar është kryetari socialiste Edi Rama. “E rëndësishme është që liderët ta udhëheqin Shqipërinë drejt së ardhmes dhe këtu unë pres më shumë disiplinë. Më pak blu, më pak të kuqe, më shumë Shqipëri. Në këtë pikë shoh qartësisht mungesa. Kjo është natyrisht skema e madhe kombëtare. Tani po u drejtohemi zgjedhjeve vendore. 8 maji është një ditë me më shumë rrezik për kandidatin Ramën, sesa për kryeministrin Berisha”, u shpreh Volfarth. Në vijim të analizës së tij, ambasadori tha se në të shkuarën votuesit e kanë besuar më shumë Ramën. “Megjithëse janë të dy kryetarë të partive kryesore, ata kanë detyra të ndryshme dhe është sigurisht detyrë e lartë të administrosh Tiranën. Zoti Rama është rizgjedhur disa herë. Pra në të shkuarën, duket se ka pasur një nivel të lartë besimi te puna e tij. Tani e kanë në dorë votuesit”, u shpreh Volfarth. Ai i bëri thirrje të dy liderëve që pas zgjedhjeve të ketë më shumë bashkëpunim dhe sa më pak bllokime e bojkote. “Unë do të doja të shihja më shumë bashkëpunim. Hapi i parë i  takon padyshim kryeministrit Berisha, për shkak se është kryetar i qeverisë dhe duhet të bëjë më shumë përpara drejt opozitës dhe të bëjë ofertën për një dialog të mirëfilltë për çështjet e rëndësishme, në mënyrë që vendi të ecë përpara. Njëkohësisht, nga opozita do të prisja më shumë hapa konstruktivë. Unë shoh drejt së ardhmes dhe nuk dua më të shoh veprime të tilla si bojkotet dhe grevat. Këto u përsëritën në vendet fqinje dhe nuk po çojnë askund”, u shpreh ambasadori.

© Panorama.al

Te lidhura