Vodhi siguracionin e nipit të vdekur, e motra e denoncon për mashtrim

Oct 8, 2011 | 12:39

POGRADEC – Një 59-vjeçare ka denoncuar mashtrimin që i është bërë nga vëllai dhe kunata e saj, pasi këta të fundit e kanë gënjyer duke i marrë asaj shumën prej 150 mijë eurosh. Sipas të dhënave nga Policia, këtë shumë gruaja me inicialet S. B. e ka përfituar nga siguracioni i jetës të djalit të saj, i cili kishte humbur jetën në vitin 2006 si pasojë e një aksidenti rrugor në shtetin grek. Ngjarja është regjistruar në fshatin Vërdovë në Pogradec, ku 59-vjeçarja, pasi ka zbuluar mashtrimin, ka ngritur edhe denoncimin ndaj vëllait të saj, 53-vjeçarit Safet Rapçe dhe kunatës M. Rapçe, 52 vjeçe. Sipas të dhënave të Policisë, çifti është përkujdesur për të gjitha procedurat që duhet të ndiqte 59-vjeçarja për të marrë shumën pas aksidentit rrugor që kishte pësuar djali i saj në vitin 2006 në shtetin grek. Në përfundim të të gjitha procedurave, çifti Rapçe i ka dhënë gruas vetëm 21 mijë euro kundrejt shumës totale prej 171 mijë eurosh që janë përfituar nga siguracioni në shtetin grek, duke mbajtur kështu për veten e tyre 150 mijë euro. Nëna e viktimës ka arritur ta zbulojë mashtrimin përmes familjarëve të tjerë, të cilët jetojnë në shtetin grek. Këta të fundit, pasi janë informuar në instancat përkatëse në lidhje me shumën që ishte përfituar, kanë njoftuar menjëherë 59-vjeçaren për ta vënë atë në dijeni. Burime të Policisë bëjnë të ditur se çifti Rapçe, së bashku me shumën prej 21 mijë eurosh, i kishte dhënë gruas edhe dokumentacionin përkatës, i cili ka rezultuar i falsifikuar. Referuar të njëjtave burime mësohet se çifti i bashkëshortëve ka pranuar fajësinë, ndërsa është duke u hetuar në lidhje me shumën që ata kanë përvetësuar si dhe me mënyrën e falsifikimit të dokumentacionit.            dh.d

© Panorama.al

Te lidhura