Aksidenti në Korçë-Ersekë, Policia jep detajet: Fëmija 3 vjeç humbi jetën, nëna ndodhet në spital, ishin këmbësorë! Shoqëruam shoferin 76-vjeçar

Jun 12, 2026 | 17:59

Policia e Korçës ka dhënë detaje për aksidentin e rëndë që ndodhi pasditen e sotme në rrugën kombëtare Korçë-Ersekë, me pasojë shtypjen për vdekje të një fëmije.

policia korce

“Rreth orës 16:30, në aksin rrugor Korçë–Ersekë, në fshatin Kamenicë, automjeti tip “Nisan”, me drejtues shtetasin Sh. V., 76 vjeç, ka përplasur dy këmbësorë (nënë e bir), shtetasen Sh. M., rreth 44 vjeçe, dhe djalin e saj të mitur, rreth 3 vjeç. Si pasojë e aksidentit, në spital ka ndërruar jetë fëmija i mitur, ndërsa shtetasja Sh. M, po merr ndihmë mjekësore, jashtë rrezikut për jetën”, bënë me dije burime zyrtare pas hetimeve paraprake.

Ndërsa hetimet janë ende aktive për sqarimin e plotë të dinamikës, është shoqëruar shoferi i mjetit.

“Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor shoqëruan në Komisariat drejtuesin e automjetit, shtetasin Sh. V., për kryerjen e veprimeve procedurale”, sqaron policia.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e rrethanave të aksidentit.

© Panorama.al

Te lidhura