Porti i Vlorës kalon ditën e 11-të pa u prekur nga asnjë traget që e lidh atë me Portin e Brindizit në Itali.Pavarësisht periudhës së gjatë, nuk ka asnjë shenjë nga dy tragetet e linjës, duke paralizuar lëvizjet e udhëtarëve dhe mjeteve të kompanive të ndryshme të biznesit. Nga Drejtoria e Portit pohohet se ata nuk mund të gjejnë zgjidhje për situatën, por kjo i takon Ministrisë së Transporteve, e cila për të dytën herë nuk ka reaguar. Ashtu siç ndodhi dy muaj më parë, kur tragetet u larguan në drejtim të Libisë me pretekstin se po bënin riparime në Portin e Brindizit, edhe këtë radhë tragetet “Red Star” dhe “Agodimos Lines” janë furnizuar me karburant në Portin e Vlorës dhe janë larguar pa asnjë adresë. “Është një shqetësim për të gjithë ne, u shpreh drejtori i Portit të Vlorës, Kasëm Mahmuti. – Ka 11 ditë që tragetet e linjës Vlorë-Brindizi janë larguar dhe nuk janë rikthyer në Portin e Vlorës. Sipas njoftimit që ata kanë bërë para se të largoheshin, njoftonin se po shkonin në ishullin e Kretës për të bërë remont, por nga radarët e tyre del se të dyja këto tragete për sa më shumë përfitime kanë shkuar sërish në drejtim të Libisë, duke kryer dhe linjën Libi-Maltë ose Libi-Kretë. Për ne, si drejtori portuale, kjo situatë është alarmante, pasi në këtë periudhë, Porti i Vlorës ka një deficit të madh, pasi nuk po kryhet asnjë hyrje apo dalje nga ky port”. Sipas kreut të Portit të Vlorës, bizneset e këtij qyteti po operojnë të gjitha nëpërmjet Portit të Durrësit dhe atë të Igumenicës. Po ashtu edhe pasagjerët të cilët kanë prenotuar për të kaluar nëpërmjet Portit të Vlorës, po vazhdojnë nga Durrësi. Deri tani, sipas Mahmutit nuk ka asnjë zgjidhje nga Ministria e Transporteve, ndonëse shqetësimi i është përcjellë herë pas here zyrtarisht. Ai shpjegon se Drejtoria e Portit, sipas kontratës ka të drejtën për të aplikuar ndaj këtyre shoqërive vetëm gjoba dhe jo zgjidhjen e situatës. “Kësaj here gjoba do të jetë dyfish, krahasuar me gjobat e aplikuara para dy muajsh. Nëse këto tragete kalojnë afatin e 15 ditëve pa ardhur në port, gjoba në kontratë është 300 euro dita, në rast përsëritjeje, siç po ndodh aktualisht, gjoba dyfishohet. Por dëmi ekonomik i shkaktuar nga mungesa e trageteve është shumë i madh për Portin e Vlorës, pasi me këto tragete nuk punon vetëm Drejtoria e Portit të Vlorës, por edhe të tjera, si Drejtoria e Doganave, e cila punon me tragetet të cilat sjellin dhe kamionët me mallra. Po ashtu dhe drejtoria kufitare, kapitaneria e Portit të Vlorës, çka ka sjellë paralizimin e të gjitha aktiviteteve në port”.
VLORE/ QEMAL BIRAKU











