VLORE – Pas 14 ditësh arratisjeje, mbërrin në Portin e Vlorës njëri prej trageteve të linjës Vlorë-Brindizi dhe anasjellas. Trageti “Grodingos Lines” është kthyer në Portin e Vlorës mesnatën e së dielës, por nuk është lejuar të ankorohej në kalatën e Portit të Vlorës nga kapitaneria dhe drejtoria portuale. Sipas burimeve nga kapitaneria, trageti Grodingos nuk është lejuar të ankorohet, sepse ka thyer rregullat dhe normat e përcaktuara në kontratë, duke u larguar nga Porti i Vlorës dhe pa përcaktuar saktë destinacionin dhe shkaqet e largimit. Ndaj shoqërisë së tragetit do të merret masa e gjobës dhe pasi të paguhet gjoba mbi 20 mijë euro, do të shikohet mundësia për dhënien e së drejtës për të rifilluar punën në linjën Vlorë-Brindizi dhe anasjelltas. Më parë do të merret mendimi i specialistëve të Ministrisë, pasi largimi i tragetit, duke braktisur lundrimet, është i përsëritur. Aktualisht, trageti është i ankoruar në radhë dhe pret të ankorohet në kalatë për të filluar punën normalisht. Sipas shoqërisë së tragetit “Grodingos”, trageti është larguar për të kryer riparime në portin e Greqisë dhe para se të largohej, është njoftuar porti dhe kapitaneria. “Ne kemi zbatuar rregullat dhe jemi kthyer brenda 14 ditësh, ashtu siç e parashikon ligji. Nuk kemi shkelur asnjë rregull apo pika të licencës, si dhe jemi rikthyer brenda afateve të përcaktuara, prandaj s’ka pse të marrim gjoba apo bllokim të licencës. Trageti i dytë, i larguar që prej 15 ditësh, pritet të rikthehet në Portin e Vlorës ditën e sotme. Nisur nga procedurat, ndaj tij pritet të vendoset gjoba dhe t’i pezullohet licenca, sepse ka thyer pikat e kontratës dhe ka munguar më shumë se 15 ditë nga porti. Për shkak të mungesës së dy trageteve, pasagjerëve dhe tregtarëve u është dashur të udhëtojnë nga porti i Durrësit, duke shpenzuar më shumë për udhëtimin e tyre drejt Italisë. Nuk dihet ende se çfarë do të bëhet me linjën detare Vlorë-Brindizi, nëse do të rifillojë së shpejti apo jo, nëse do të fillojnë punë tragetet që kanë operuar më parë apo do të futen tragete të kompanive të tjera. Që nga kriza në vendet arabe, janë shënuar dy herë largime të trageteve të linjës Vlorë-Brindizi, duke pezulluar totalisht portin. q.b











