Vlorë, nxënësit e biznesmenët pastrojnë dy plazhet publike

Apr 25, 2011 | 11:06

VLORE- Prej dy ditësh, në plazhet përgjatë bregdetit të Vlorës ka filluar puna intensive për përgatitjen e tyre për një fillim të mbarë të sezonit turistik. Në plazhin e ri dhe plazhin e vjetër nisi puna për pastrimin e tyre, hedhjen e rërës së re,  sistemimin, ngritjen e çadrave prej kashte, rikontruksionin e dy kullave të kontrollit, si dhe sistemimin e kanalizimeve të ujërave të zeza. Për pak ditë, zona e plazhit të ri do të jetë gati për çeljen e sezonit të ri turistik më 15 maj. Punimet e plazhit po i kryen Bashkia e Vlorës, si dhe disa pronarë lokalesh. Në plazhin publik mësohet se do të ketë kushte mjaft të mira për të pushuar, si dhe do të jepen çadra falas. Prej disa ditësh po kryhen sistemime edhe në plazhin e vjetër. Iniciativa për të kthyer këtë plazh në gjendje normale dhe të frekuentuar, është marrë nga Drejtoria Arsimore, ndaj dhe nxënësit e disa shkollave kanë kryer punë vullnetare. Por iniciatorë kanë qenë edhe disa biznesmenë e kryetari i Partisë Demokratike të Vlorës, Ardian Kollozi. Ky i fundit ka dhënë kontributin e tij personal për pastrimin e zonës së plazhit të vjetër, duke vendosur disa mjete për sistemimin e rërës, pastrimin e zonës së ndotur nga mbeturina të shumta, si dhe nga hedhja e inerteve nga firmat e ndërtimit që operojnë në këtë zonë. Koha e ngrohtë ka favorizuar punimet me cilësi, dhe gjithçka do të jetë gati brenda pak ditësh. Data e çeljes së sezonit do të jetë thjesht simbolike, pasi qytetarët e Vlorës tashmë gradualisht e kanë filluar plazhin, duke shfrytëzuar ditët kur temperaturat janë të larta.             q.b

© Panorama.al

Te lidhura