VLORE – Tragetet “Jonian Spirit” dhe “Red Star”, sot bëjnë tetë ditë që janë zhdukur, ndërsa nuk ka të dhëna për kthimin e tyre. Shoqëritë e trageteve njoftuan Portin e Vlorës më 11 prill, se janë nisur në ishullin e Kretës për remont. Por nisur edhe nga një precedent i mëparshëm, kur të dy tragetet u nisën për qëllime fitimi drejt Libisë, dyshohet se ky veprim të jetë përsëritur. Kjo edhe për shkak se mjetet detare kanë fikur radarët dhe lokalizimi i tyre nëpërmjet aparaturave përkatëse është mjaft i vështirë. Burime nga Porti i Vlorës bënë të ditur se ndaj të dy shoqërive do të veprohet në momentin e rikthimit. Nuk përjashtohet mundësia që kësaj radhe të merret masë më ekstreme ndaj tyre, deri në prishje të kontratës. Kjo pasi ikja e tyre në mënyrë kaq të menjëhershme, duke thyer rregullat dhe kontratat me shtetin shqiptar, ka sjellë edhe reagim të biznesit në Vlorë, të qytetarëve, por edhe zyrtarëve lokalë. Ata i kërkuan ministrisë përkatëse të merren masa dhe të ndërpresin kontratën me këto dy shoqëri, sipas tyre të papërgjegjshme. Pasagjerët, si dhe kamionët të cilët kanë prenotuar udhëtimin për në drejtim të bregut tjetër, janë detyruar t’i drejtohen Portit të Durrësit. “Dyshohet se tragetet e linjës Vlorë-Brindizi kanë marrë sërish rrugën për në Libi, siç kanë vepruar edhe para një muaji. Dyshimi shtohet pasi tragetet kanë fikur të gjithë radarët, me qëllimin për të mos u lokalizuar nga ana e Drejtorisë së Portit, si dhe për t’i shpëtuar masave administrative”, u shprehën burime nga Porti. “Nëse ne si drejtori do të vërtetojmë se këto dy shoqëri tragetesh kanë shkuar sërish në drejtim të Libisë, për ata do të ketë sanksione të rënda ligjore, deri në pezullimin përfundimtar të këtyre dy trageteve. Kjo pasi është hera e dytë që tragetet largohen me pretekstin se janë në remont, por shkojnë për të punuar në vende të tjera, duke shkelur rregullat dhe ligjet, si dhe duke thyer kontratën në mënyrë të njëanshme”, u shprehën ditën e zhdukjes së trageteve burime nga Drejtoria Portuale e Vlorës.











