Vjehrra plagos dhëndrin me thikë

Oct 1, 2011 | 11:36

Vjehrra plagos dhëndrin me thikë. Vetëm pak minuta pasi ai kishte përzënë të shoqen nga shtëpia e martesës për ta kthyer te prindërit, ka reaguar nëna e vajzës. Bukurije Bajrami, 48 vjeçe, ka qëlluar dy herë me thikë 31-vjeçarin S.R., ndërsa ky i fundit po pinte kafe, në shenjë hakmarrjeje për dëshpërimin e së bijës. Ngjarja, sipas Policisë së Vlorës, ka ndodhur mbrëmjen e së enjtes, në një prej lokaleve të lagjes “Pavarësia” të qytetit. Bajrami ka shkuar brenda ambienteve të lokalit me armën e ftohtë brenda çantës së saj, derisa ka pikasur bashkëshortin e së bijës. Në befasi e sipër, 48-vjeçarja ka qëlluar dhëndrin dy herë me thikë pas shpine dhe më pas është larguar me shpejtësi. I plagosuri është dërguar me urgjencë nga dëshmitarët në spitalin rajonal, ku i është dhënë ndihma e shpejtë për dy plagët e thella të marra në kurriz. Në vendin e ngjarjes menjëherë kanë mbërritur shërbimet e Policisë së Shtetit, të cilat vetëm pak minuta më vonë kanë bërë të mundur kapjen e autores së kësaj ngjarjeje, e cila ishte identifikuar nga dëshmia e të lënduarit dhe personave të pranishëm në momentin e plagosjes. Bajrami, e lindur në Shijak të Durrësit dhe banore në lagjen “29 Nëntori” në Vlorë është ndaluar bashkë me thikën  me të cilën qëlloi dhëndrin. Nga veprimet e hetimore, policia ka konkluduar se autorja e kësaj ngjarjeje dhe i dëmtuari kanë lidhje krushqie me njëri-tjetrin (vjehërr–dhëndër) dhe se motivi i kryerjes së krimit ka qenë për shkak të konflikteve familjare. Sipas policisë, 31-vjeçari është grindur me bashkëshorten e tij 24-vjeçare, me të cilën kishte dhe një fëmijë. Në grindje e sipër, e cila mësohet se nuk ishte e para, ai e ka përzënë atë, duke e detyruar të shkonte në banesën e prindërve, në të njëjtën lagje. Në mërzitje e sipër, 24-vjeçarja ka shkuar në banesën e saj. E ëma, e cila e kishte vajzë të vetme, ka reaguar menjëherë në gjaknxehtësi, duke marrë thikën e kuzhinës për të përfunduar në lokalin ku po qëndronte dhëndri, në lagjen tjetër të Vlorës, ku ka kryer dhe plagosjen. Nga dëshmitë e marra rezulton se çifti i ri kishte bërë debat, por pa arritur deri në ndarje zyrtare. Por, duket se vjehrra ka reaguar në gjaknxehtësi e sipër, duke u vënë tashmë përballë akuzës së “vrasjes me dashjes, e mbetur në tentativë”. Aktualisht, i plagosuri po merr mjekime në spitalin rajonal, sipas mjekëve, ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Precedenti i Rrogozhinës
Grindja mes një çifti të ri të fejuarish në qytetin e Rrogozhinës shkaktoi një tragjedi javën e kaluar. Kreshnik Selmani, 27 vjeç, qëlloi për vdekje të fejuarën shtatzënë dhe më pas qëlloi veten. Ata kishin bërë debat dhe, 10 ditë para se të ndodhte krimi, burri e kishte përzënë të shoqen për në familjen e saj.

VLORE/ QEMAL BIRAKU

© Panorama.al

Te lidhura