TIRANE – Markelian Cungu, emri i shumëlakuar si autor i dhjetëra vjedhjeve në Tiranë, që kur ishte i mitur, i ka shpëtuar qelisë për vjedhjen e tij të fundit. Pasi është arrestuar si një nga autorët e grabitjes së një kasaforte me 4.5 milionë lekë të një shoqërie ndërtimi, ai është liruar nga dhomat e paraburgimit. Pak ditë më parë, gjykata e Tiranës ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë “arrest shtëpie”. Deri pak muaj më parë, Cungu e provonte shpesh lirimin nga prangat, pasi, ndonëse arrestohej për vjedhje të ndryshme, ai lirohej për shkak të moshës së tij nën 15 vjeç. Sipas Prokurorisë, së fundmi Cungu është një nga tre pjesëmarrësit në vjedhjen e një kasaforte, ngjarje e ndodhur në maj të këtij viti në Tiranë. “Nga shqyrtimi i provave rezulton se: I pandehuri Markelian Cungu, në bashkëpunim edhe me të pandehurit M. Mera, O. Nazari, më datë 31.05.2011, rreth orës 17:00 kanë vjedhur kasafortën e firmës “V…”. Në datën e mësipërme, të pandehurit janë takuar me njëri-tjetrin, në një lokal pranë rrugës “Gjon Buzuku”. Aty, i pandehuri O. Nazari i ka propozuar të vjedhin kasafortën e firmës “V…” dhe, pasi kanë rënë dakord, kanë bërë planin për të realizuar vjedhjen. Me t’u errësuar, rreth orës 19:00, të tre të pandehurit kanë shkuar në afërsi të zyrave të firmës me një mjet tip “Benz” me targa të Tiranës, të drejtuar nga i pandehuri Marildo Mera. Pasi kanë parkuar mjetin rreth 300 metra larg vendit të ngjarjes, kanë shkuar ne këmbë në drejtim të zyrave të firmës “V…”. Të pandehurit kishin marrë me vete dhe një karrocë me dy rrota, që do t’u nevojitej për transportimin e kasafortës deri te mjeti i tyre. Pasi kanë shkuar tek zyrat e firmës, i pandehuri M.Mera ka qëndruar roje, kurse të pandehurit Markelian Cungu dhe O. Nazari janë futur në ambientet e brendshme të firmës, ku kanë marrë kasafortën metalike dhe, pasi e kanë transportuar me karrocë deri tek mjeti, e kanë futur në bagazhin e mjetit tip “Benz”. Nga këtu ata kanë shkuar pas disa magazinave në rrugën “5 Maji” dhe me një aparat gur fresibël, troko dhe një levë kanë arritur të hapin dhe të thyejnë kasafortën e vjedhur, ku kanë marrë një sasi prej rreth 4.5 milionë lekësh. Kjo sasi lekësh është ndarë ndërmjet të pandehurve M. Mera dhe Markelian Cungu”, thuhej në vendimin e masës së sigurisë ndaj tij. ar.ba











