Vizita në Shtëpinë e Bardhë, Trump: Princi i Kurorës Saudite nuk dinte asgjë për vrasjen e gazetarit Khashoggi në 2018

Nov 18, 2025 | 22:26

Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, deklaroi sot gjatë takimit me princin e kurorës së Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman, në Shtëpinë e Bardhë, se ai beson se princi “nuk dinte asgjë” për vrasjen e gazetarit Jamal Khashoggi në vitin 2018.

trump bin selman

I pyetur nga një gazetar lidhur me vrasjen e opinionistit të Washington Post, e cila shkaktoi reagime të forta ndërkombëtare dhe tensionoi marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Riadit, Trump u shpreh se Khashoggi ishte “një figurë tepër e diskutueshme”.
“Po flisni për një person shumë kontradiktor. Shumë njerëz nuk e pëlqenin atë njeri. Pavarësisht se çfarë mendoni, gjëra kanë ndodhur, por ai (Mohammed bin Salman) nuk dinte asgjë”, tha Trump nga Zyra Ovale, me princin saudit në krah.

I irrituar nga pyetja e gazetarit të rrjetit ABC, Trump shtoi: “Mund ta lëmë me kaq? Nuk ka nevojë ta vëmë në siklet të ftuarin tonë.”

Ndërkohë disa media amerikane, përfshirë NPR, rikujtojnë se CIA kishte arritur në përfundimin se Mohammed bin Salman kishte dhënë urdhrin për vrasjen e Khashoggit.

Nga ana e tij, princi saudit e quajti ngjarjen “të dhimbshme” për vendin e tij, duke theksuar se Arabia Saudite ka ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm për zbardhjen e plotë të çështjes.

Jamal Khashoggi, dikur i afërt me pushtetin saudit e më pas kritik i tij, u vra më 2 tetor 2018 brenda konsullatës saudite në Stamboll nga agjentë të dërguar nga Riadi. Trupi i tij u copëtua dhe nuk u gjet kurrë.

Investime prej 1 trilion dollarësh

Më herët gjatë ditës, princi i kurorës së Arabisë Saudite i premtoi presidentit Trump investime me vlerë deri në 1 trilion dollarë në Shtetet e Bashkuara.

“Ne besojmë në të ardhmen e Amerikës. Besoj, zoti president, se sot dhe nesër mund të shpallim rritjen e shumës nga 600 miliardë dollarë në gati 1 trilion dollarë investime”, deklaroi ai nga Zyra Ovale, për kënaqësinë e Trump.

© Panorama.al

Te lidhura