Vizat kanadeze, pranga sekretarit të Pingpongut

Oct 26, 2011 | 12:45

Sekretari i Federatës Shqiptare të Pingpongut, Arben Sorra, u arrestua mbrëmjen e së hënës në Tiranë me akuzën e trafikut të klandestinëve nga Shqipëria në Kanada. Ai dyshohet se duke shfrytëzuar funksionin e tij, u ka marrë shuma të konsiderueshme disa personave të cilëve u premtonte viza kanadeze, teksa i pajiste me dokumente sikur të ishin sportistë. Sekretari i federatës, Arben Sorra, dyshohet se nëpërmjet dy sekserëve, miq të tij, njëri tashmë i arrestuar dhe tjetri i shpallur në kërkim, në të paktën 7 raste, kanë marrë shuma nga 7 mijë deri në 15 mijë euro, për të pajisur me viza për në Kanada shtetas të ndryshëm. Sipas burimeve nga grupi hetimor, rezulton që personat e interesuar për t’u pajisur me viza fillimisht regjistroheshin si sportistë në klubin e Pingpongut. Më pas, lista me emrat e tyre, bashkë me sportistët e vërtetë, i kalonte Konsullatës Kanadeze në Romë, ku vendosej kush do të pajisej me vizë dhe kush jo. Burime të Policisë së Tiranës thanë se gjatë operacionit të koduar “Scoring”, u ekzekutuan masat e sigurimit “arrest me burg”, të Gjykatës së Tiranës ndaj Arben Sorrës dhe Çlirim Sukajt. Sorra me detyrë sekretar i Federatës së Pingpongut dhe Sukaj, pronar i një argjendarie në Shkodër, në këtë rast sekser, akuzohet për “korrupsioni pasiv dhe aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “falsifikimi të dokumenteve nga personi që ka për detyrë t’i lëshojë ato”. “Këto veprime të paligjshme janë kryer prej tyre, duke përfituar nga detyra e shtetasit Arben Sorra si sekretar i Federatës Shqiptare të Pingpongut, përmes së cilës kanë siguruar ofertën për pjesëmarrjen e ekipit kombëtar në një turne ndërkombëtar Ping Pongu, që do zhvillohej në Kanada, në fund të muajit shtator, 2011”, thuhet zyrtarisht nga Policia e Tiranës. Ndërsa sipas burimeve nga grupi hetimor, mësohet se është shpallur në kërkim edhe një person tjetër, i cili po ashtu kishte funksionin e sekserit, pasi aktualisht ai rezulton të jetë në Gjermani.
VIZAT KANADEZE
Prej rreth një muaji, Drejtoria Kundër Krimit Financiar dhe Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me njësinë Task-Forcë, kanë nisur hetimet në lidhje me korrupsionin që dyshohej se po kryhej në Federatën Shqiptare të Pingpongut. Hetimet nisën pasi një grup personash nuk u pajisën me vizë kanadezë në Konsullatën e Kanadasë që ndodhet në Romë, të cilët ngritën pretendimet e tyre në polici se ishin mashtruar dhe kishin paguar shuma të konsiderueshme parash, deri në 15 mijë euro për të shkuar në Kanada. Pasi u janë refuzuar vizat, personat e regjistruar fiktivisht si sportistë kanë kërkuar rikthimin e parave nga Arben Sorra dhe dy personat e tjerë që kishin ndërmjetësuar bisedimet. Nga verifikimet e kryera nga grupi hetimor rezultojnë të paktën shtatë raste të tilla, disa prej të cilëve u janë kthyer paratë. Ndërsa pjesa tjetër rezultojnë që nuk i kanë marrë paratë që kishin dhënë për t’u pajisur me vizë, duke u mbajtur me shpresë se në një moment tjetër do arrinin ta përfitonin vizën, pa qenë e nevojshme të bënin tjetër pagesë. Përveç 7 rasteve që janë të dokumentuara nga grupi hetimor, burimet thanë se dyshohet të ketë edhe persona të tjerë të mashtruar në këtë mënyrë.

verifikimet
Grupi hetimor i ka kërkuar zyrtarisht Ministrisë së Arsimit, Rinisë dhe Sporteve që të verifikojë listat me emrat e sportistëve që do të merrnin pjesë në turneun ndërkombëtar të Pingpongut, për të analizuar me hollësi se kush rezulton sportist dhe kush është regjistruar në mënyrë fiktive me dokumente false, sa për t’u pajisur me vizë. Burimet saktësuan se të gjitha listat e personave (sportistëve) që marrin pjesë në turne ndërkombëtare sportive, dërgohen për miratim në Ministri nga sekretarët e federatave të sporteve të ndryshme.

© Panorama.al

Te lidhura