Qytetarët kanë përfunduar marshimin simbolik në rrugët e Tiranës në kuadër të ditës së 32-të të protestës për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë së tij.
Protesta nisi para godinës së Kryeministrisë, ku për disa orë u mbajtën fjalime nga aktivistë, gazetarë, pedagogë dhe qytetarë. Gjatë tubimit u artikuluan kritika ndaj qeverisë dhe kryeministrit Rama, ndërsa protestuesit përsëritën kërkesën e tyre kryesore: dorëheqjen e kreut të qeverisë.
“Rama jep dorëheqjen”, ishte një nga thirrjet që u dëgjua vazhdimisht gjatë protestës.
Pas përfundimit të fjalimeve, protestuesit nisën marshimin drejt qendrës së Tiranës, për të vijuar më pas drejt godinës së Parlamentit.
Para Parlamentit qytetarët brohoritën me thirrjet “Parlamenti i krimit”, “Parlament analfabet” dhe “Ju erdhi fundi”, duke shprehur kundërshtimin ndaj deputetëve.
Nga aty, organizatorët u bënë thirrje qytetarëve që të mblidhen sërish nesër, në orën 10:00, para Parlamentit, me synimin për të protestuar para zhvillimit të seancës plenare.
Më pas, marshimi vijoi përgjatë Rrugës së Elbasanit, ku qytetarët brohoritën njëzëri “Shqipëria kërkon revolucion” dhe “Shqipëria e rinisë, jo e partisë”.
Protestuesit kaluan gjithashtu pranë Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për të vijuar më tej drejt zonës së Liceut Artistik dhe më pas u rikthyen në godinën e Kryeministrisë, aty ku kishte nisur protesta.
Me rikthimin para Kryeministrisë u mbyll edhe protesta e ditës së 32-të, ndërsa organizatorët dhe të gjithë bën thirrjen e përnatshme: “nesër më shumë” dhe “nesër në 10”, për protestën e paralajmëruar para Parlamentit.
© Panorama.al



















