Në protestën e ditës së 13-të ku sheshi gëloi nga mijëra qytetarë shqiptarë që kërkuan rrëzimin e sistemit politik të vjetër, dorëheqjen e qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama, nuk munguan fjalimet pikante dhe me mesazhe të forta.
E pranishme edhe diaspora me emigrantë, të rinj e studentë. Shqiptarë nga Londra, Italia, Athina, Gjermania, kanë qenë të pranishëm në këtë tubim. Gjithashtu paralajmërohet se nesër pjesëmarrja do të jetë edhe më masive.
“Nesër vjen gjithë Diaspora. Nesër akoma më shumë”, u shpreh një protestues.
Ai ironizoi kryeministrin me flamengot dhe e akuzoi për antimitingun e sotëm me PS.
“Administrata është peng i Ramës. Ishin në atë miting të turpit. Ta ngremë zërin edhe për ata. Kam mbaruar studimet në Gjermani…Ja keni djeg neuronet Edi Ramës. I ka lëshuar flamengot e nuk po i mbledh dot më fare. Kur themi Shqipëri e Re, duhet të flasim edhe një ekonomi…”, u shpreh një student shqiptar i cili jeton në Gjermani.
Më tej ai theksoi se kryeministri nuk ka hallin e zogjve:
“As mish e as zogj nuk prodhojmë këtu, çdo gjë importohet”, tha ai.
Pas dhjetëra fjalimeve të zjarrta të qytetarëve nga shtresa dhe katëgori të ndryshme moshash e profesionesh, rreth orës 20:35 i erdhi radha marshimit tradicional në bulevard.
“Deti” i protestuesve u derdh rrugëve të Tiranës me parulla, thirrje, pankarta dhe këngë patriotike, të prirë nga flamuj kombëtarë.
© Panorama.al


















