VIDEO/ Momenti kur ish-presidenti francez Nicolas Sarkozy del nga burgu dhe rikthehet në shtëpi!

Nov 10, 2025 | 21:00

Ish-presidenti francez Nicolas Sarkozy u lirua nga burgu dhe u kthye në shtëpi sot (e hënë, 10 nëntor), pasi një gjykatë në Paris vendosi që ai mund të lirohet ndërsa ai apelon kundër dënimit të tij për komplot për të mbledhur fonde nga Libia.

sarkozy

Sarkozi u dërgua në burg më 21 tetor, pasi u shpall fajtor në shtator për konspiracion kriminal lidhur me përpjekjet e ndihmësve të ngushtë për të siguruar fonde për kandidaturën e tij presidenciale të vitit 2007 nga udhëheqësi i ndjerë libian Muamar Gadafi.

Ai qëndroi 20 ditë në qeli. Mediat publikuan edhe pamjet e rikthimit të tij në shtëpi, tek bashkëshortja, modelja Carla Bruni dhe familja. Gjatë daljes ai përshëndeti mbështetësit e tij nga makina.

Ish-lideri konservator, i cili ishte president nga viti 2007 deri në vitin 2012, i tha gjykatës se të qenit në burg kishte qenë e vështirë.

“E vërteta do të triumfojë. Ky është një fakt që na e mëson jeta”, shkroi ai në X pasi u kthye në shtëpi.

Ai shtoi se tani do të përqendrohej në procesin e apelimit dhe se “fundi i historisë mbetet për t’u shkruar”.

Gjykata tha se ai nuk përbënte rrezik arratisjeje dhe për këtë arsye nuk kishte pse të qëndronte në burg deri në apelimin e tij, informon “Reuters”.

Lirimi i tij u bazua në kritere specifike, siç është nëse ekzistonte rreziku që ai të arratisej, dhe nuk është asnjë tregues nëse apeli i tij ka të ngjarë të ketë sukses.

“Rroftë liria” (Vive la liberte), postoi djali më i vogël i Sarkozisë, Louis, në llogarinë e tij X bashkë me një foto të fëmijërisë së tij duke buzëqeshur përkrah të atit.

Dënimi me pesë vjet burgim i Sarkozisë u zbatua me shpejtësi për shkak të asaj që gjyqtarët në shtator e quajtën “seriozitetin e jashtëzakonshëm” të krimit. Ai u burgos në burgun La Sante në Paris – një rënie e habitshme për një ish-president.

Por prokurori publik të hënën rekomandoi që Sarkozy të lirohet në pritje të apelimit të vendimit të fajësisë.

Gjykata pranoi ta lironte atë nën mbikëqyrje gjyqësore, e cila përfshin ndalimin e largimit nga Franca dhe ndalimin e bisedës me ndonjë zyrtar të ministrisë së drejtësisë.

© Panorama.al

Te lidhura