Fituesit dhe humbësit e Kupës së Botës/ Taktikat e Tomas Tuhelit u vunë në qendër të kritikave, Mbape në histori

Jul 22, 2026 | 23:00

Turneu i Kupës së Botës 2026 prodhoi histori të mëdha, rekorde të reja dhe zhgënjime të thella. Kilian Mbape hyri në histori me paraqitjet e tij, ndërsa taktikat e Tomas Tuhelit u vunë në qendër të kritikave.

TOPI I BOTERORIT

Fitues: Vozinja, Kepi i Gjelbër

Nëse dikush do t’i kishte thënë Vozinjës para Kupës së Botës se do ta mbyllte turneun si portieri më i ndjekur në futboll, ai me siguri do ta kishte marrë si shaka. Kualifikimi në Kupën e Botës ishte një arritje historike për Kepin e Gjelbër dhe portierin e tij veteran, por avancimi deri në fazën me eliminim direkt, së bashku me pasionin që ai tregoi në fushë, fitoi zemrat e tifozëve në mbarë botën. Sot, portieri 40-vjeçar, aktualisht pa skuadër, numëron më shumë se 29 milionë ndjekës në “Instagram”.

Humbës: Roberto Martinez, Portugalia

A do të kujtohet Roberto Martinez si trajneri që shpërdoroi dy breza të artë në futbollin përfaqësues? Ish-trajneri i Evertonit nuk arriti ta shndërronte Belgjikën e mbushur me yje në një skuadër fituese trofesh dhe e njëjta histori duket se po përsëritet edhe me Portugalinë. Ai kishte në dispozicion një mesfushë luksi me Zhoao Neves, Vitinja dhe Bruno Fernandes, por portugezët u eliminuan herët pas një fushate larg pritshmërive.

Fitues: Rodri, Spanja

Dyshimet nëse Rodri do të rikthehej ndonjëherë në nivelin e tij më të mirë pas operacionit në ligamentin e kryqëzuar janë zhdukur. Pasi pati një sezon me ulje-ngritje te Mançester Siti, mesfushori spanjoll shkëlqeu në Kupën e Botës dhe udhëhoqi Spanjën drejt titullit kampion. 30-vjeçari ishte futbollisti me më shumë pasime gjatë turneut dhe lideri absolut i skuadrës fituese. Rodri u bë vetëm lojtari i shtatë në histori që fiton Kupën e Botës, Kampionatin Europian, Ligën e Kampioneve dhe “Topin e Artë”, ndërsa në tre sukseset e para u shpall edhe lojtari më i mirë i turneut.

Humbës: Turqia

E cilësuar si një nga surprizat e mundshme para nisjes së turneut, Turqia përfundoi në vendin e fundit të një grupi që në letër dukej ndër më të lehtët. Pavarësisht se kishte në përbërje emra si Kenan Jëlldëz, Arda Gyler dhe Hakan Çalhanollu, Turqia u eliminua pas humbjeve ndaj Australisë dhe Paraguait.

Fitues: Lionel Mesi, Argjentina

Lionel Mesi nuk e ngriti trofeun në fund, por vera e vitit 2026 shtoi një tjetër kapitull në legjendën e tij. Në moshën 39-vjeçare, ai udhëhoqi një Argjentinë jo aq të fortë drejt finales së tretë të Kupës së Botës në karrierën e tij, duke barazuar një rekord historik. Tetë golat dhe katër asistet i siguruan “Këpucën e Argjendtë” dhe “Topin e Argjendtë”, ndërsa ky ishte Botërori më produktiv i gjithë karrierës së tij.

Humbës: Azia

Formati i zgjeruar i Kupës së Botës u dha mundësi shumë vendeve të shkruanin histori suksesi. Pothuajse të gjitha konfederatat patën arsye për të festuar, përveç Azisë. Nëntë skuadra aziatike morën pjesë në turne dhe fituan vetëm 10% të ndeshjeve të zhvilluara. Vetëm Japonia dhe Australia arritën të kalonin grupet, ndërsa Jordania, Katari, Arabia Saudite, Iraku dhe Uzbekistani e mbyllën fazën në vendin e fundit.

Fitues: Kilian Mbape, Franca

Franca u ndal në gjysmëfinale, por Kilian Mbape e bëri këtë Botëror të paharrueshëm. 27-vjeçari u bë vetëm futbollisti i katërt në histori që shënon 10 gola në një edicion të vetëm të Kupës së Botës, dhe i pari që e arrin këtë pas 56 vitesh. Ai u bë gjithashtu lojtari i parë që fiton më shumë se një herë “Këpucën e Artë” të Botërorit dhe kaloi Lionel Mesin si golashënuesi më i mirë në historinë e Kupës së Botës. Duke pasur parasysh moshën, ai mund ta thellojë edhe më shumë këtë rekord në turnetë e ardhshëm.

Humbës: Tomas Tuhel, Anglia

Tomas Tuhel e udhëhoqi Anglinë drejt rezultatit më të mirë në një Kupë Bote të zhvilluar jashtë vendit dhe paraqitjes më të mirë që nga titulli i vitit 1966. Megjithatë, mënyra si Anglia u eliminua nga Argjentina në gjysmëfinale ka ngritur shumë pikëpyetje. Pas golit të Entoni Gordon, anglezët u tërhoqën plotësisht në mbrojtje për të ruajtur avantazhin, duke mbajtur vetëm 12% të zotërimit të topit. Argjentina ushtroi presion të vazhdueshëm deri sa përmbysi rezultatin. Taktikat e trajnerit gjerman e kanë vendosur atë nën presion në prag të Euro 2028, edhe pse fitorja spektakolare në ndeshjen për vendin e tretë ka zbutur disi kritikat.

Fitues: Maroku

Aktualisht, Maroku është pa diskutim kombëtarja më e fortë e Afrikës. Skuadra kaloi grupin pa shumë vështirësi, ndërsa Ismael Saibari dhe Ajoub Bouadi u shfaqën si zbulimet e mëdha të turneut. “Luanët e Atlasit” u eliminuan nga Franca në çerekfinale, por pas dy Botërorëve radhazi të mbyllur në fazat finale, të ndërthurur me suksesin në Kupën e Kombeve të Afrikës, kjo periudhë po konsiderohet si epoka e artë e futbollit maroken.

Humbës: Julian Nagelsman – Gjermania

Bilanci zhgënjyes i Gjermanisë në Kupat e Botës vazhdoi edhe këtë verë. Katër herë kampionët e botës u eliminuan papritur në fazën e 1/16-ave, pas humbjes me penallti ndaj Paraguait. Tre Kupat e fundit të Botës për Gjermaninë janë mbyllur me dy eliminime në fazën e grupeve dhe një tjetër largim të hershëm me penallti, një rënie e fortë për një nga kombëtaret më të suksesshme në historinë e futbollit.

PANORAMASPORT.AL

© Panorama.al

Te lidhura