Panorama Online ka siguruar pamjet e aksidentit të rëndë të ndodhur pasditen e sotme te rrethrrotullimi i TEG-ut, ku humbën jetën dy persona.
Në video shihet momenti kur kamioni pompë betoni afrohet me shpejtësi në rrethrrotullim, përplaset me automjetin tip “Volkswagen” dhe më pas del jashtë kontrollit.
Mjeti i tonazhit të rëndë çan barrierat metalike mbrojtëse dhe përfundon duke rënë në nivelin e poshtëm të aksit rrugor TEG–Elbasan.
Aksidenti rezultoi fatal për dy personat me origjinë egjiptiane, që udhëtonin në kamionin pompë betoni. Drejtuesi i mjetit, shtetasi Mohamed Lotf, rreth 30 vjeç, humbi jetën në vendngjarje, ndërsa pasagjeri Mohamed Ali, rreth 44 vjeç, ndërroi jetë në spital, pavarësisht ndihmës mjekësore.
Ndërkohë, drejtuesi i automjetit tjetër, shtetasi Roland Nuri, rreth 28 vjeç, ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Siç bëhet me dije, në vendin e ngjarjes janë konstatuar edhe shenja të forta frenimi në asfalt, ndërsa grupi hetimor vijon punën për të përcaktuar shkaqet e plota të aksidentit.
© Panorama.al
















