Qindra qytetarë pjesë e protestës së 53-të kundër qeverisë kanë vijuar marshimin e tyre në rrugët e Tiranës, duke u ndalur përpara godinës së Parlamentit, ku kanë përcjellë mesazhe drejtuar deputetëve.
Gjatë ndalesës para godinës së seancave plenare, protestuesit kanë akuzuar ligjvënësit se nuk përfaqësojnë interesat e qytetarëve, ndërsa kanë brohoritur thirrje kundër tyre.
“Deputetë frikacakë!” dhe “140 deputetë, që të gjithë analfabetë”, ishin disa nga thirrjet e dëgjuara gjatë tubimit.
Po ashtu, protestuesit kanë brohoritur edhe thirrjen “Keni frikë nga vezët!”, duke iu referuar episodeve të protestave të mëparshme para Parlamentit, ku disa deputetë janë goditur me vezë nga qytetarët.
Për të shmangur përballjen me protestuesit, deputetët kanë zgjedhur hyrje të shoqëruara me masa të shtuara sigurie, duke kaluar përmes korridoreve të krijuara nga forcat e policisë.
© Panorama.al













