Sulmet e dronëve iranianë ndaj bazave të Agjencisë Qendrore të Inteligjencës amerikane (CIA) në rajonin e Gjirit kanë nxitur shërbimet amerikane të inteligjencës të hetojnë mundësinë e përfshirjes së Rusisë, përmes ofrimit të informacioneve mbi objektivat ose teknologjisë së avancuar, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”, duke iu referuar zyrtarëve që kanë kërkuar të mbeten anonimë.
Të paktën dy baza të CIA-s u goditën gjatë muajit mars. Njëri prej tyre ndodhej në kompleksin e ambasadës amerikane në Riad të Arabisë Saudite, ndërsa objekti i dytë ishte në lindje të Irakut.
Disa burime kanë bërë të ditur se edhe pozicione të tjera të CIA-s mund të kenë qenë në shënjestër, por pa dhënë detaje të mëtejshme.
Zyrtarë perëndimorë në rajonin e Gjirit dyshojnë se Rusia mund ta ketë ndihmuar Iranin për të përmirësuar aftësitë e dronëve pa pilot të tipit “Shahed”, duke i bërë ata më të saktë në goditjen e objektivave. Analistë amerikanë vlerësojnë se dy dronë të avancuar “Shahed” janë përdorur në sulmin ndaj ambasadës amerikane në Riad.
Sipas një burimi tjetër, saktësia e goditjes së objektivave nga dronët iranianë “Shahed-136” është përmirësuar falë përdorimit të sistemit satelitor rus të navigimit “Kometa-M”.
Kremlini i ka mohuar këto pretendime, duke i cilësuar si “lajme të rreme”, pas një raportimi të ngjashëm të publikuar nga “Wall Street Journal” në muajin mars.
Daniel Hoffman, ish-drejtues i stacionit të CIA-s, tha se nuk do të ishte surprizë nëse Moska do ta ndihmonte Teheranin për të goditur baza të CIA-s, duke pasur parasysh bashkëpunimin strategjik mes Rusisë dhe Iranit.
“Ata po përpiqen të reduktojnë ose të eliminojnë ndikimin amerikan në rajone që i kanë përcaktuar si sfera të tyre të ndikimit”, u shpreh Hoffman.
© Panorama.al












